Sonte () në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet intervista me kryeshefin ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj. Gjatë këtij edicioni, janë trajtuar një sërë çështjesh të cilat lidhen me punën e këtij institucioni.
Në këtë intervistë, Hodaj ka folur për 20-vjetorin e themelimit të Inspektoratit Policor dhe për sfidat që e kanë shoqëruar këtë institucion gjatë dy dekadave të funksionimit. Po ashtu, një nga temat kryesore do të jetë edhe çështja nëse strukturat e sigurisë si xhandarmëria mund të jenë subjekt i mbikëqyrjes dhe hetimit nga IPK-ja.
Intervista trajton edhe disa nga rastet më të diskutuara në opinion publik, përfshirë hetimet lidhur me vjedhjen e dëshmive në stacionin policor në Prishtinë, si dhe zhvillimet rreth rastit SKY ECC dhe nëse ka apo jo emra të zyrtarëve policorë të përfshirë.
Po ashtu diskutohet edhe ecuria e hetimeve për vdekjen e Agon Zejnullahut, rast i cili ka ngjallur reagime të shumta në publik dhe kërkesa për transparencë institucionale. Intervistën mund ta ndiqni edhe në kanalin zyrtar të KALLXO.com në YouTube.
