Protestuesit kanë zgjedhur edhe këtë herë simbolikën dhe ironinë për të përcjellë mesazhet e tyre kundër kryeministrit Edi Rama gjatë protestës së 35-të kombëtare. Në bulevard u shfaq një tortë gjigante në formën e një bunkeri prej betoni, e shoqëruar nga flamingot, simboli që tashmë është kthyer në identitet të kësaj lëvizjeje qytetare.
Teksa torta për ditëlindjen e kryeministrit parakalonte mes turmës, protestuesit brohorisnin njëzëri: “Edhe 100 vite në burg”, në një ironi të drejtpërdrejtë me ditëlindjen e kryeministrit.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë kundër klasës politike, me qytetarët që kërkojnë largimin jo vetëm të kryeministrit Edi Rama, por edhe fundin e asaj që e cilësojnë si establishmenti politik.
Në protestën e sotme, e cila ka regjistruar një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve dhe të diasporës, kanë dominuar thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Shqipëri e re”, “Dorëheqje” dhe “Lironi çunat”, në mbështetje të protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë tubimit të mëparshëm.
Ashtu si çdo ditë, protesta ka vijuar me fjalimet e qytetarëve nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, ndërsa bulevardi është mbushur me flamuj kuqezi, flamuj amerikanë – në ditën e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së – si edhe me flamingot, që vazhdojnë të jenë simboli më i spikatur i kësaj lëvizjeje proteste.
