Komisioni Evropian do t’u paraqesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian një rekomandim me shkrim, sipas të cilit Serbia i ka përmbushur kushtet për hapjen e Klasterit 3 në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE. Burime të besueshme në Bruksel i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se rekomandimi do të propozojë që ky grup kapitujsh negociues të hapet gjatë muajit korrik.
Ky hap konsiderohet si një zhvillim i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Serbisë, pasi Klasteri 3, i njohur si “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, përfshin fusha kyçe si transformimi digjital, politika ekonomike dhe monetare, tatimet, arsimi dhe kultura, shkenca dhe kërkimi, si dhe çështje që lidhen me punësimin dhe politikat sociale.
Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk i takon Komisionit Evropian. Hapja e klasterit duhet të miratohet njëzëri nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat do ta shqyrtojnë rekomandimin në ditët në vijim.
Pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, disa shtete anëtare kanë shprehur më herët rezerva për avancimin e Serbisë në procesin e negociatave, duke kërkuar rezultate më konkrete në reformat demokratike, si dhe përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Për këtë arsye, mbetet të shihet nëse propozimi do të marrë mbështetjen unanime të vendeve anëtare dhe nëse Klasteri 3 do të hapet brenda këtij muaji.
Lama: Përsa i përket raporteve me Kosovën, Serbia mbetet destabilizuese, por është e qartë se BE përdor si ‘shkopin’, edhe ‘karrotën’ me Serbinë Ish-ambasadorja Alma Lama për “Bota sot”, u shpreh se rekomandimi për hapjen e Kapitullit 3 të negociatave me Serbinë lidhet me reformat e brendshme dhe jo me Kosovën.
Ajo theksoi se, megjithëse Serbia ka përmbushur disa kritere formale, ajo vazhdon të jetë larg përputhjes me politikën e jashtme të BE-së, sidomos për shkak të qëndrimit të saj prorus. “Së pari Serbia është pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kapitulli i tretë që ka rekomanduar Komisioni që të hapet nuk lidhet me Kosovën, por me reforma të brendshme në Serbi, siç është gjyqësori, mediat dhe korniza ligjore për zgjedhjet, dhe formalisht duket se i ka plotësuar kriteret.
Përsa i përket përputhjes me politikën e jashtme të BE-së në raport me Ukrainën dhe Rusinë, Serbia mbetet larg dhe i vetmi vend në rajon që mban qëndrim prorus” , deklaroi ajo. Alma Lama Për më tej, Lama vlerësoi se Serbia vazhdon të ketë rol destabilizues ndaj Kosovës, por theksoi se BE-ja përdor njëkohësisht presionin dhe stimujt në raport me Beogradin.
“Përsa i përket raporteve me Kosovën, Serbia mbetet destabilizuese, por është e qartë se BE përdor si shkopin, edhe karrotën me Serbinë.
Hapja e kapitujve të negocimit është një proces që duhet ta miratojnë të gjitha shtetet e BE-së, prandaj kjo nuk është një punë e kryer, ndërkohë prova e sundimit të ligjit vjen pas hapjes së kapitujve, ku kriteret duhet të plotësohen në mënyrë rigoroze” , theskoi ajo.
Arifi: Megjithatë i takon MPJD të Kosovës që të bëj punën e vet e të mos befasohemi Edhe ish-ambasadori Avni Arifi, tha se, megjithëse Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e Cluster 3, është e vështirë që ky propozim të marrë mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, ndërsa kërkoi angazhim më të madh të MPJD-së së Kosovës.
Avni Arifi “E vertetë se Komisioni ka propozuar hapjen e Cluster 3 si rezultat i disa reformave që shteti serb ka bërë në fushën e lirisë së mediave, ligje të caktuara si dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme. Megjithatë ky propozim vështirë se do të marrë përkrahjen e vendeve anëtare pikërisht duke marrë parasysh arsyet që ju keni përmend.
Përderisa vazhdojnë terroristët me duar të përgjakura të ecin rrugëve të Beogradit vështirë të besohet se vendet e BE do të pajtohen. Megjithatë i takon MPJD të Kosovës që të bëj punën e vet e të mos befasohemi” , deklaroi ai për “Bota sot”.
