Në prag të një prej përballjeve më të shumëpritura të Botërorit 2026, Franca dhe Maroku përgatiten për një duel ku në lojë nuk është vetëm një biletë për në gjysmëfinale, por edhe një tjetër faqe historie. Kampionët francezë vijnë në këtë sfidë me një repart ofensiv të frikshëm, ku spikasin emra si Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé, Michael Olise dhe Bradley Barcola.
Mbappé vazhdon të jetë protagonisti kryesor i “Gjelave”, me shtatë gola të realizuar në këtë Botëror, vetëm një më pak se Lionel Messi që kryeson renditjen me tetë. Megjithatë, trajneri Didier Deschamps kërkon më shumë nga skuadra e tij, veçanërisht në fazën sulmuese. “Mund të përmirësohemi edhe më shumë në fazën sulmuese.
Maroku është një skuadër shumë cilësore dhe nuk ka arritur deri këtu rastësisht. Do të na duhet të zhvillojmë një ndeshje në nivel shumë të lartë për të fituar. Tchouaméni është duke u rikuperuar dhe do ta vlerësojmë deri në momentin e fundit, ndërsa të gjithë lojtarët e tjerë janë në dispozicion ”, tha Deschamps. Përballë tyre qëndron një Marok që nuk dëshiron të ndalet këtu.
Trajneri Mohamed Ouahbi thekson se skuadra e tij nuk ka ardhur vetëm për të marrë pjesë, por për të luftuar për trofeun. “Nuk do të dëgjojmë ata që thonë se ajo që kemi bërë deri tani është e mrekullueshme. Franca është favorite, por ne do të bëjmë gjithçka për të fituar dhe për të kaluar në gjysmëfinale. Nuk kemi ardhur këtu vetëm për të marrë pjesë, duam të fitojmë”, tha Ouahbi.
Në radhët e Marokut, një nga lojtarët që ka lënë gjurmë është Azzedine Ounahi. Mesfushori realizoi një dygolësh ndaj Kanadasë, duke i dhënë fund një pritjeje prej 11 ndeshjesh pa gol në fazën finale të një turneu madhor. Të tetë golat e tij me fanellën e kombëtares kanë ardhur në ndeshje të fituara nga Maroku, shtatë prej të cilave me portën e paprekur.
Ndërkohë, mbetet në dyshim edhe aktivizimi i Ismael Saibari, i cili vuan nga probleme muskulore dhe do të vlerësohet deri në momentin e fundit para sfidës. Francë–Marok është më shumë se një ndeshje çerekfinale. Është përballja mes një favoriteje për titull dhe një skuadre që kërkon të vazhdojë ëndrrën e saj historike në skenën më të madhe të futbollit botëror.
