Qytetet kryesore të Iranit kanë nisur ceremonitë përkujtimore që do të kulmojnë më 9 korrik me funeralin e Ali Khameneit. Autoritetet iraniane po organizojnë një ceremoni madhështore, të shoqëruar me masa të rrepta sigurie dhe një mobilizim masiv të qytetarëve për të marrë pjesë në homazhe dhe në procesionin mortor.
Teherani, si edhe qytetet e shenjta të Qomit dhe Mashhadit, kanë shpallur ditë pushimi, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar bizneseve të mbyllen nga e shtuna deri të hënën. Ceremonia publike do të nisë të shtunën në kompleksin Grand Mosalla, në qendër të Teheranit, ku zhvillohen lutjet e së premtes dhe tubimet më të mëdha fetare të vendit.
Sipas planit të publikuar nga autoritetet, trupat e disa prej të afërmve të vrarë të Khameneit do të ekspozohen së bashku me trupin e tij gjatë ceremonisë. Mbetet ende e paqartë nëse djali i tij, Mojtaba Khamenei, i cili është shpallur Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, do të marrë pjesë në funeral.
Sipas raportimeve, Mojtaba Khamenei ndodhej pranë të atit më 28 shkurt, kur streha e tyre u godit nga raketa amerikane dhe izraelite. Ai thuhet se u plagos dhe nuk është shfaqur më në publik. Pas ceremonisë në Teheran, trupi i Ali Khameneit pritet të dërgohet në Irak për homazhe në qytetet e shenjta shiite, Qerbela dhe Naxhaf.
Më pas ai do të varroset në qytetin e shenjtë të Qomit, më 9 korrik. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, u bëri thirrje qytetarëve “të çdo kombësie, feje, bindjeje dhe preference politike” të marrin pjesë në funeral, duke e cilësuar praninë e tyre si një mesazh të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar.
“Prania juaj masive do të jetë një përgjigje vendimtare ndaj logjikës së terrorizmit, dhunës dhe taktikave të frikësimit, si dhe një mesazh i qartë për botën se populli iranian qëndron i bashkuar në mbrojtje të pavarësisë dhe dinjitetit të tij”, deklaroi Pezeshkian.
Vonesa e varrimit ka tërhequr vëmendjen, pasi në traditën myslimane të ndjerët zakonisht varrosen brenda një kohe të shkurtër. Autoritetet iraniane kanë mohuar zërat se trupi është varrosur përkohësisht, duke theksuar se ai është ruajtur në përputhje me rregullat e fesë islame.
Qeveria iraniane synon ta paraqesë ceremoninë si një moment uniteti kombëtar, zie të përbashkët dhe rezistence ndaj presioneve të jashtme. Emblema zyrtare e funeralit paraqet një grusht të shtrënguar të Ajatollah Khameneit, të shoqëruar me sloganin: “Ne duhet të ngrihemi”.
Ceremonitë pritet të shërbejnë gjithashtu si një demonstrim i ndikimit rajonal të Iranit dhe i lidhjeve të tij me komunitetet shiite. Ngjarje përkujtimore në shkallë të gjerë janë planifikuar edhe në Irak, ku jeton një popullsi e madhe shiite dhe veprojnë milici të mbështetura nga Teherani. Organizimi i ceremonive paraqet një sfidë të madhe logjistike.
Autoritetet kanë planifikuar parkingje të mëdha në periferi të Teheranit, ku vizitorët do të lënë automjetet e tyre për të vijuar udhëtimin me autobusë drejt qendrës së qytetit. Kazermat dhe shkollat janë vënë në dispozicion për akomodimin e pelegrinëve që do të mbërrijnë nga i gjithë vendi.
Ndërkohë, në kompleksin Grand Mosalla po vijojnë punimet për ndërtimin e platformave, si dhe për organizimin e hyrjeve dhe daljeve, me qëllim menaxhimin e turmave të mëdha që pritet të marrin pjesë në ceremoninë mortore.
