Këngëtarja kanadeze Celine Dion ka njoftuar rikthimin e saj në muzikë me një këngë të re në gjuhën frënge, e cila do të publikohet më 3 korrik. Lajmin e bëri të ditur përmes postimeve enigmatike në rrjetet sociale, duke ngjallur menjëherë interes të madh te fansat.
Ky projekt shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rikthimin e artistes, pas sfidave shëndetësore që e larguan për një periudhë nga skena. Pas paraqitjes së saj të shumëpërfolur në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Paris 2024, Dion po rikthehet gradualisht në aktivitetin muzikor, ndërsa shtohen edhe spekulimet se ajo mund të jetë duke përgatitur një album të ri.
