Belgjika “hesht” Trumpin, turpëron SHBA-në dhe kap çerekfinalet

0%

Belgjika iu përgjigj në mënyrën më të fortë polemikave që paraprinë sfidën me Shtetet e Bashkuara. “Djajtë e Kuq” dominuan plotësisht amerikanët, fituan 4-1 dhe siguruan një biletë për në çerekfinalet e Botërorit, ku i pret përballja me Spanjën. Dy ditët para ndeshjes u karakterizuan nga debatet për aktivizimin e Folarin Balogun.

Federata belge kundërshtoi vendimin e FIFA-s, të drejtuar nga Gianni Infantino, për ta lejuar sulmuesin të luante me SHBA-në, ndërsa edhe deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump shtuan tensionin rreth sfidës. Megjithatë, Mauricio Pochettino nuk ndryshoi plan dhe e aktivizoi Balogun si titullar. Në fushë, polemikat duket se motivuan belgët.

Edhe pse Rudi Garcia surprizoi duke lënë në stol Kevin De Bruyne, Romelu Lukaku dhe Jeremy Doku, skuadra e tij zhvilloi paraqitjen më të mirë të turneut. Belgjika kaloi në avantazh që në minutën e 9-të me Charles De Ketelaere, i cili përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe nuk fali. Pak më pas, belgët humbën Amadou Onana për shkak të një dëmtimi në gju, por kjo nuk ua prishi ritmin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

SHBA-ja barazoi në minutën e 31-të me Malik Tillman, pas një goditjeje dënimi që u devijua në mur dhe mashtroi Thibaut Courtois. Megjithatë, reagimi belg ishte i menjëhershëm. Vetëm dy minuta më vonë, Leandro Trossard harkoi saktë në zonë dhe De Ketelaere realizoi golin e dytë personal për 2-1.

Në pjesën e dytë, një gabim i rëndë i portierit Matthew Freese vendosi praktikisht fatin e ndeshjes. De Ketelaere i rrëmbeu topin pranë zonës, ndërsa Hans Vanaken shënoi në portën e boshatisur për rezultatin 3-1. Në fund, me amerikanët të dorëzuar, Rudi Garcia aktivizoi edhe Lukakun, i cili shfrytëzoi një tjetër gabim në mbrojtjen e SHBA-së dhe vulosi fitoren 4-1 në minutën e 93-të.

Belgjika siguron kështu kualifikimin në çerekfinale, ndërsa SHBA-ja eliminohet para tifozëve të saj. Pas një ndeshjeje të mbushur me polemika jashtë fushe, belgët dhanë përgjigjen më bindëse aty ku kishte më shumë rëndësi: në fushën e lojës. SHBA 1-4 Belgjikë Tillman 31’/ De Ketelaere 9’, 33’, Vanekan 57’, Lukaku 90+3’

Burimi: Bota Sot