Bayern Munihu e ka vendosur Jules Koundén në krye të listës së objektivave për të përforcuar krahun e djathtë të mbrojtjes dhe tashmë e di se Barcelona nuk do ta lehtësojë aspak një transferim të mundshëm.
Sipas raportimeve nga Gjermania, klubi bavarez vazhdon ta ndjekë me shumë vëmendje mbrojtësin francez, por çdo lëvizje do të varet nga largimi i Sacha Boey, i cili nuk bën pjesë në planet e trajnerit Vincent Kompany. Ndërkohë, mesazhi nga Barcelona është i qartë: për të nisur negociatat kërkohen të paktën 60 milionë euro.
Prioriteti i Bayernit është të rrisë cilësinë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Kompany synon ta aktivizojë Joshua Kimmichin përfundimisht në mesfushë dhe të mos detyrohet më ta përdorë si zgjidhje emergjente në mbrojtje. Për këtë arsye, Koundé konsiderohet një alternativë ideale.
Francezi ofron siguri, shpejtësi, eksperiencë në ndeshje të mëdha dhe fleksibilitet, pasi mund të luajë si mbrojtës i djathtë ashtu edhe në qendër të mbrojtjes. Megjithatë, Bayern duhet fillimisht të zgjidhë çështjen e Sacha Boey. Vetëm nëse francezi largohet, klubi do të krijojë hapësirën sportive dhe financiare për të nisur zyrtarisht ofensivën për Koundén.
Drejtuesit sportivë e kanë vendosur atë mes favoritëve, por nuk duan të hyjnë në negociata kaq të mëdha pa përfunduar më parë largimet e planifikuara. Nga ana tjetër, Barcelona nuk e konsideron Koundén të paprekshëm, por as nuk ka ndërmend ta shesë lehtësisht një nga mbrojtësit më të qëndrueshëm të skuadrës.
Kontrata e reprezentuesit francez është e vlefshme deri në vitin 2030, gjë që i jep klubit katalanas një pozitë të fortë në negociata. Sipas mediave spanjolle, Barcelona e vlerëson kartonin e tij rreth 60 milionë euro, një shumë që do ta ndihmonte klubin të balanconte financat dhe të financonte transferime të tjera.
Në garë për Koundén janë përmendur edhe disa klube të Premierligës, por Bayern Munichu mund t’i ofrojë lojtarit një projekt shumë tërheqës, ku do të luftojë për të gjithë trofetë dhe do të ketë një rol kyç në skuadër. Në moshën 27-vjeçare, Koundé konsiderohet në kulmin e pjekurisë sportive, duke kombinuar forcën fizike, përvojën dhe aftësinë për t’u përshtatur me sisteme të ndryshme loje.
Transferimi i mundshëm i francezit i ka të gjithë elementët e një sage të merkatos së verës: një klub që mund të shesë për arsye financiare, një blerës i fuqishëm që fillimisht duhet të largojë lojtarë dhe një futbollist elitar me kontratë afatgjatë.
Bayern Munich nuk dëshiron të nxitohet, por e di se mundësia për të transferuar Jules Koundén mund të mos përsëritet nëse Barcelona vendos ta nxjerrë në shitje. Megjithatë, gjithçka varet nga largimi i Sacha Boey dhe gatishmëria e klubit gjerman për të paguar rreth 60 milionë euro..
