Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, pranoi se nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij, pavarësisht fitores 2:1 pas vazhdimeve ndaj Norvegjisë dhe kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Heroi i Anglisë ishte edhe një herë Jude Bellingham, i cili me dy golat e tij përmbysi epërsinë e hershme të Norvegjisë. “Sot ia bëmë jetën vetes shumë, shumë të vështirë.
Rezultati është fantastik, jemi në gjysmëfinale, gjë që është e jashtëzakonshme, por nuk jemi të kënaqur me paraqitjen”, deklaroi Tuchel pas ndeshjes. Kur u pyet se çfarë nuk funksionoi në lojën e ekipit, trajneri gjerman u përgjigj pa hezitim. “Në çdo aspekt. Përkushtimi ishte aty, por mënyra se si luajtëm na e vështirësoi gjithçka.
Ishim të çorganizuar, bëmë shumë gabime teknike, nuk ishim mjaftueshëm të shpejtë dhe as të qëndrueshëm. Sot patëm fat”, theksoi ai. Gazetarët e pyetën nëse rëndësia e ndeshjes çerekfinale kishte ndikuar në aspektin psikologjik të lojtarëve. “Ky nuk është problem mentaliteti – përkundrazi, ky është mentalitet i pastër. Si mund të më pyesni fare për mentalitetin?
Mund ta paketoni dhe ta shisni si shembull. Problemi është cilësia e lojës sonë, kaq. Nuk ka asnjë lidhje me mentalitetin”, u përgjigj Tuchel. Anglia kaloi me shumë vështirësi edhe këtë sfidë, njësoj si në përballjet e mëparshme ndaj Meksikës dhe Republikës Demokratike të Kongos. Megjithatë, Tuchel beson se ekipi i tij ende nuk e ka treguar versionin më të mirë. “Do të jemi më të mirë.
Duhet të jemi më të mirë. Por tani është koha për të festuar”, përfundoi përzgjedhësi i Anglisë.
