Data 26 qershor e vitit 1988 do të mbahet gjatë në mend jo vetëm nga dashamirët e klubit të futbollit Trepça nga Mitrovica. Një ndeshje spektakolare dhe një fitore bindëse ndaj klubi serb Zemuni me rezultat 5:1. Bashkim Idrizi, Rafet Prekazi, Smajl Gucati, Mishko Stoliqi, Marjan Zefi, Fisnik Lyta, Ahmet Turku, Vahedin Ajeti Ajeti etj.
“Trepça, me rezultatin e përgjithshëm 5:3, u rendit në rundin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Dytë unike të futbollit.
Në ndeshjen e kthimit të turit të parë futbollistët e saj ua revanshuan bile me kamatë të lartë zemunasve duke i mundur me 5:1 (3:0), një fitore kaq bindëse dhe e lehtë e Trepçës realisht nuk ishte pritur, por do theksuar se ajo ishte plotësisht e merituar sepse u arrit pas një loje mjaft luftëtare, në të cilën zemunasit në asnjë moment nuk mundën të vijnë në shprehje.
Disiplinimin e lartë të xehëtarëve e bëri të mundshëm, pos tjerash, edhe ambienti i rrallë sportiv që mbretëroi sot në Mitrovicë, duke përkujtuar kohë kur Trepça hyri në elitën e futbollit ish jugosllav. Që nga mesdita kërcenin me grupe kryesore shikuesish kah dyert e këtij stadiumi.
Karnevalet e shikuesve me daulle e flamuj e transparente mu para fillimit të ndeshjes mbushën tribunat kryesore duke krijuar një mozaik sportiv çfarë e dëshiron çdo qytet. Trepça – Zemuni 5:1 (3:0) Stadiumi i ri buzë Ibri. Shikues, mbi 12 mijë. Referuan: kryesor Lipovaci (Zagreb), ndihmës Mamiqi (BJellovar.) dhe Tivolt (Kranj).
Golat: Zefi (1’), Gucati (18’ e 49’) dhe Idrizi (52’ e 75’) – Quroviq (59’). Me kartonë të verdhë u ndëshkuan Stoliqi i Trepçës dhe Nikoliq i Zemunit. Trepça: Ahmetoviq 7 – Hamza 7, Lyta 7, Prekazi 7, Turku 7, Idrizi 9, Stoliqi 7, Gucati 8, V. Ajeti 7 (Hasani), Sh. Ajeti 7 (Plakiqi) dhe Zefi 8.
Zemuni: Bukarica 5, Spasiq 6, Radoviq 5 (Lubiqiq 6), Obradoviq 6, Nikoliq 6, Vorkapiq 5, Vitoroviq 5, Mirilloviq 6, Quroviq 7, Ristiq 6 dhe Pilak 5 (Simoviq).
Topi u nisë nga qendra, Prekazi me diagonale gjeti Zefin, i cili si shigjeta u vërsul kah porta mysafire, në momentin e më të duhur gjuajti mjeshtërisht nga pozita tejet e vështirë dhe epërsia e zemunasve e krijuar vetë tri dritësh u zvogëlua në minimum. Mbase ky gol do të shënohet në analet e Trepçës sepse u shënua për vetëm 5 sekonda.
Ndonëse nuk treguan hiq asgjë nga loja e futbollit ose thënë thjeshtë u koritën “farmaceutët” (Zemuni), megjithatë arritën të shënojnë golin e nderit në këtë ndeshje. Në minutën 59, në periudhën kur loja e Trepçës humbi pak ritmin, Quroviqi shfrytëzoi një pakujdesi të mbrojtjes vendëse dhe mposhti Ahmatoviqin.
Mirëpo ky gol nuk u ndihmoi atyre asgjë, pos që me nder të përshëndeten nga garat e mëtejshme kualifikuese. Me golin e Bashkim Idrizit, lojtarit më të mirë të ndeshjes, 15 minuta para mbylljes, vetëm se u vulos hyrja e Trepçës në turin e dytë, sukses ky plotësisht i merituar.
Kësisoj xehetarët, që meritojnë lëvdata të mëdha, ia hapën vetes dyert kah Liga e Dytë unike federative, ku sipas mendimit të shumicës që e dëshmuan edhe sot, e kanë vendin:, ka gazetari Isa Begu në sportin e “Rilindjes” me 27 qershor të vitit 1988. Trepça në ndeshjen vendimtare, si kampione e Ligës së Parë, siç quhej Krahinore e Kosovës në atëkohë, nuk ia doli me Bellasicën.
Fitoi me 2:1 në Mitrovicë, por humbi me 2:0 në Strumicë. Bellasica hyri në Ligën e Dytë, ndërsa Trepçe vazhdoi garat në Ligën e Tretë të sapothemeluar Ndërrepublikane..
