Në kryeqytet, banorët e rrugës “Isa Kastrati” ka kohë që janë në hall me mbeturinat. Moslargimi i tyre vë në rrezik shëndetin e banorëve. Kompania “Pastrimi” ka bërë të ditur se vonesat janë shkaktuar nga defektet teknike, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë për zgjidhjen e problemit. Rreth 200 familje në rrugën “Isa Kastrati” në Matiqan po përballen me problemin e mbeturinave.
Sipas banorëve të lagjes, ka rreth një muaj që kompania nuk ka shkuar për t’i larguar ato. Për shkak të grumbullimit të mbeturinave, banorët thonë se ndihen të rrezikuar edhe nga shfaqja e gjarpërinjve dhe minjve. “Nuk vijnë ka një muaj me i marrë dhe ia lënë fajin kerreve, kinse nuk po munden me ardhë me i marrë.
Kqyre qysh është gjendja, ka shumë minj, ka gjarpërinj dhe po tutemi për fëmijët që po dalin jashtë. Për fëmijët kemi shumë frikë se po dalin jashtë banesës, nëpër hyrje”, thotë Blerim Bllaca, banor. Në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” e pranojnë se, si pasojë e defekteve teknike, disa lagje në Prishtinë nuk kanë arritur t’i pastrojnë me kohë.
“Vonesat në grumbullimin e mbeturinave në disa rrugë kanë ardhur si pasojë e faktit se tre kamionë, të cilët operojnë në ato zona, aktualisht ndodhen në servis për riparime.
Për shkak të kostos së lartë të pjesëve rezervë dhe procedurave të prokurimit publik, riparimi i tyre ka kërkuar më shumë kohë sesa ishte planifikuar”, tha Arbëresha Fazliu, shefe e Zyrës për Media dhe Marketing, KRM “Pastrimi”. Gjendje thuajse e ngjashme vërehet edhe në disa lagje të tjera, me gjithë faktin se kompania ka njoftuar se po punon me tri ndërrime për pastrimin e qytetit.
Në anën tjetër, nga Drejtoria për Shërbime Publike nuk kanë pranuar të flasin lidhur me ndërhyrjet e shpejta për largimin e mbeturinave, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta.
