Avokati i Popullit nis hetime për pretendimet për keqtrajtim të të

0%

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetime sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet për keqtrajtim të disa personave të arrestuar gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, më .

Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, vendimi për hapjen e hetimeve është marrë pas ankesave të pranuara nga qytetarë, informatave të dërguara nga organizata të shoqërisë civile, si dhe raportimeve të publikuara në media.

Pretendimet e ngritura lidhen me trajtimin e personave të arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilët kanë deklaruar se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe ndaj cenimit të të drejtave të tjera të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Avokati i Popullit ka bërë të ditur se qëllimi i hetimeve është verifikimi i fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe vlerësimi nëse gjatë trajtimit të të arrestuarve janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Institucioni ka theksuar se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me ndalimin absolut të keqtrajtimit, trajtimit çnjerëzor apo poshtërues. “Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose për shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria kërkon një hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë”, thuhet në njoftim.

Gjatë procesit hetimor, Avokati i Popullit pritet të mbledhë informacione dhe dokumentacion nga institucionet përgjegjëse, në përputhje me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor. Pas përfundimit të hetimeve, institucioni ka bërë të ditur se do t’i publikojë gjetjet dhe rekomandimet përkatëse për opinionin publik dhe palët e interesuara.

Burimi: Telegrafi