Auditori: Trepça vazhdon të mos i paguajë kontributet pensionale për

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se ndërmarrja publike Trepça që nga viti 2020 vazhdon që të mos i paguajë kontributet pensionale dhe tatimin në paga për punëtorët e saj.

Në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Trepçës për vitin 2025, thuhet se nga kjo përjashtim bëjnë 9 muaj të vitit 2022, që sipas tyre, obligimet janë shlyer nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), përmes kompensimit me rimbursimet tatimore.

Si pasojë, ka thënë ZKA, si rezultat i mospagesës së obligimeve bazë, nuk janë shlyer as interesat dhe ndëshkimet e akumuluara për këto detyre. “Gjithashtu, kemi konstatuar se në deklaratat tatimore për muajin prill 2025 nuk janë përfshirë punonjësit e Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Kopaonik-Leposaviq.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për më tepër, nga krahasimi i regjistrit të personelit me të dhënat e deklaruara në ATK është evidentuar një mospërputhje prej rreth 107 punonjësish, për të cilët nuk janë deklaruar tatimet në paga” – thuhet në gjetjen e ZKA-së.

Tutje, Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se gjatë vitit 2025, njësia biznesore Kopaonik – Leposaviq ka kryer pagesën e pagave për mesatashisht 19 punëtorë, përmes arkës. Sipas shpjegimeve të menaxhmentit të njësisë, thotë ZKA, këta punëtorë nuk kishin llogari bankare për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm për hapjen e tyre.

“Kjo gjendje ka ardhur si rezultat i mungesës së likuiditetit financiar dhe dobësive në kontrollin dhe monitorimin e përmbushjes së obligimeve ligjore lidhur me deklarimin dhe pagesën e tatimeve dhe kontributeve” – ka thënë ZKA.

Moskryerja e pagesave për kontributet dhe tatimet ndaj punëtorëve, sipas ZKA-së, ndikon në rritjen e obligimeve ndaj punëtorëve dhe ATK-së, si dhe krijon detyrime shtesë nga ndëshkimi, interesi dhe paditë të cilat shkaktojnë në vazhdimësi rritje të këtyre borxheve.

“Bordi Mbikëqyrës duhet të marrë masat e menjëhershme për shlyerjen e obligimeve ndaj punonjësve dhe ATK-së në mënyrë që të shmanget rritja e vazhdueshme e kostove shtesë që rrjedhin nga këto obligime, si dhe të trajtoj rastet e punëtorëve të pa deklaruar” – thuhet në rekomandimin që ZKA i ka dhënë Bordit Mbikëqyrës, në lidhje me këtë të gjetur.

Menaxhmenti i Trepçës është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së, por në hapësirën e komenteve ka thënë se në lidhje me të punësuarit që nuk kanë llogari bankare, tashmë vetëm katër punëtorë kanë mbetur që kanë një problem të tillë, ndërsa në lidhje me kontributet, ka thënë se kanë dhënë shpjegime në raportin për vitin 2024.

Përndryshe, ZKA ka dhënë opinion të kundërt në Raportin e Auditimit për ndërmarrjen Trepça, për vitin 2025. Opinion i kundërt nënkupton kur arrihet në përfundim se pasqyrat financiare të kompanisë nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të saktë të gjendjes financiare. Raportin e plotë për ndërmarrjen Trepça për vitin 2025 mund ta gjeni KËTU .

Burimi: Kallxo