Shpërndaje në: Komandanti i stacionit policor në Suharekë, Safet Hoxha, ka dhënë më shumë detaje për vdekjen e 26-vjeçarit në Suharekë i cili u godit nga rrufeja pasditen e së mërkurës në bjeshkët e fshatit Delloc.
Hoxha në emisionin “tre8tre” në KTV, ka deklaruar se 26 vjeçarin e ka bartur në krahë babai dhe vëllai për rreth 1 kilometër ku më pastaj e ka takuar një qytetar me veturë, me të cilin e kanë vazhduar rrugën deri te ekipet mjekësore. Sipas Hoxhës, ekipet mjekësore e kanë konstatuar aty se i riu është pa shenja jete.
“Trupi i ndjerë i viktimës është bartur nga babai e vëllai i tij rreth 1 km, pastaj janë takuar me ekipet policore. Sipas informacioneve që i kemi ne, viktima ka qenë bashkë me babain dhe vëllain në bjeshkët e fshatit Delloc. Ka qenë 4-5 metra larg tyre kur ka godit rrufeja atë direkt ndërsa indirekt i ka goditur edhe babain edhe vëllain por ata nuk pësuar lëndime trupore.
Pas 1 kilometri kanë hasur në një qytetar që ka pasur një veturë dhe me atë veturë e kanë bartur deri te ekipet e ndihmës së shpejtë.
Në atë vend ekipet shëndetësore e kanë konstatuar vdekjen e tij”, ka deklaruar Hoxha. 26 vjeçarin e kanë dërguar pastaj edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mushtisht, Hoxha ka thënë se edhe mjeku tjetër e ka konstatuar se 26 vjeçari është pa shenja jete.
Mes tjerash Hoxha ka bërë të ditur se vendi ku ka ndodhur goditja e rrufesë ka qenë larg, terren i vështirë dhe pa rrugë, prandaj sipas tij ka qenë problematike për të depërtuar ekipet policore e mjekësore.
