Astrit Haliti: Vendi ‘sui generis’ edhe në not

0%

Ish kryetari dhe ish sekretari i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti, aktualisht trajner, ka reaguar në lidhje me një zhvillim të fundit në sportin e notit. “Vendi “sui generis” edhe në not”! Sot në Munih të Gjermanisë fillon Kampionati Evropian i notit për juniorë. Në të njëjtën ditë, në Kosovë fillon Kampionati i Kosovës në not.

Kjo flet më shumë se çdo deklaratë për gjendjen katastrofale në të cilën është katandisur noti kosovar. Në vend që juniorët më të mirë të Kosovës të garojnë me bashkëmoshatarët e tyre evropianë dhe të përfaqësojnë shtetin, ata detyrohen të garojnë në kampionatin vendor.

Kjo nuk është mungesë cilësie e sportistëve, por mungesë vizioni, organizimi dhe përgjegjësie nga drejtuesit e Federatës së Notit të Kosovës. Paradoksi nuk përfundon këtu. Sportistët që sipas rregullave të Evropës kanë të drejtë të marrin pjesë në Kampionatin Evropian për Juniorë, në Kosovë nuk llogariten fare si juniorë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Si është e mundur që Evropa i konsideron juniorë (Sportistet vajza te vitëlindjes 2008), ndërsa Federata jonë jo? Kush ka të drejtë? Këto vendime të pakuptimta po ua mbyllin dyert sportistëve tanë, po ua mohojnë përvojën ndërkombëtare dhe po e izolojnë notin e Kosovës nga zhvillimet evropiane.

Federata duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta: Pse Kosova nuk ka asnjë përfaqësues në Kampionatin Evropian për Juniorë? Kush e mori këtë vendim dhe mbi çfarë arsyetimi? Pse kriteret tona bien ndesh me ato të federatave evropiane? Kush do të mbajë përgjegjësi për mundësitë e humbura të sportistëve? Sportistët nuk stërviten një vit të tërë për të parë Evropën vetëm në televizor.

Ata stërviten për ta përfaqësuar Kosovën. Kur mungon përgjegjësia, humb sportisti. Kur mungon vizioni, humb sporti. Kur mungon llogaridhënia, humb Kosova. Mjaft më me improvizime. Noti i Kosovës meriton drejtim profesional, transparencë dhe respekt për sportistët”, ka reaguar Haliti.

Burimi: Bota Sot