Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat për sektorin e shërbimeve, sipas të cilave në muajin maj 2026 është shënuar rritje e numrit të të punësuarve, ndërsa qarkullimi ka pësuar rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përcjell KosovaPress.
Sipas ASK-së, indeksi i qarkullimit në sektorët e shërbimeve në maj 2026 ka rënë për 4.68 për qind, krahasuar me majin 2025.
Pavarësisht rënies së përgjithshme, rritje të qarkullimit është shënuar në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike me 3.67 për qind, si dhe në veprimtaritë botuese, prodhimin audio-vizual, transmetimin, telekomunikimin, programimin kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 3.46 për qind.
Në anën tjetër, rënie është evidentuar në hotele me 1.55 për qind, bar-restorane me 2.82 për qind, transport dhe magazinim me 3.25 për qind, si dhe në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse me 21.81 për qind. Ndërkohë, indeksi i numrit të të punësuarve në sektorët e shërbimeve është rritur për 4.42 për qind në maj 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Rritja më e madhe e punësimit është regjistruar në sektorin e bar-restoraneve me 5.84 për qind, pasuar nga veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike me 5.65 për qind, veprimtaritë botuese, prodhimin audio-vizual, transmetimin, telekomunikimin, programimin kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 4.63 për qind, transportin dhe magazinimin me 2.86 për qind, veprimtaritë administrative dhe mbështetëse me 2.80 për qind, si dhe hotelet me 2.38 për qind.
