Protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë vijuan edhe këtë mbrëmje, duke hyrë në ditën e 38-të radhazi. Qytetarë të shumtë u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku nisën fjalimet e protestuesve dhe aktivistëve.
Gjatë fjalës së saj, protestuesja Luçana Kokaj u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë përçarjet, duke theksuar se qëllimi i përbashkët duhet të mbetet mbi çdo dallim. “Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën, të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi.
Secili mund të ketë ndonjë difekt, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën”, u shpreh ajo. Kokaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për personat që kontribuojnë në përhapjen e mesazheve të protestës, ndërsa u kërkoi mbështetësve të shmangin akuzat dhe komentet e pabazuara.
“Patjetër jam shumë falenderuese dhe besoj të gjithë bashkë jemi falenderues ndaj atyre që bëjnë një punë fantastike duke shpërndarë protestën, por mos përgojoni njerëz pa ditur të vërtetën”, shtoi aktivistja. Në përfundim të fjalës së saj, ajo përsëriti kërkesat e protestës, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
“Çdo ditë e më shumë deri në arritjen e qëllimit tonë, Rama jep dorëheqjen! Rama në burg, Berisha në burg!”, tha gjithashtu Kokaj. Protestuesit theksuan se do të vijojnë tubimet e përditshme deri në realizimin e kërkesave të tyre.
