ASK: Deri në vitin 2060, mosha mesatare parashihet të jetë 49 vjeç

0%

Sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për parashikimin e popullsisë së Kosovës, mosha mesatare pritet të rritet në rreth 49 vjet deri më 2060. Të dhënat e fundit të publikuara nga ASK tregojnë se mosha mesatare në vitin 2024 ishte 35.3 vjet e sipas parashikimeve pasqyrohet një plakje e popullsisë së Kosovës nëse ndiqen trendet.

Sipas raportit “ Parashikimi i popullsisë së Kosovës 2025-2060 ” përshkruhet se mosha mesatare do të rritet ndërsa grupi më i moshuar do të rritet më shpejt. “Në rreth 49 vjet në vitin 2060. Deri në vitin 2060, personat e moshës 65 vjeç e më shumë pritet të përbëjnë rreth 31% të popullsisë, ndërsa fëmijët nën moshën 15 vjeç rreth 12% të saj”- thuhet në raport.

Kryetari i ASK-së, Avni Kastrati, bëri prezentimin e të dhënave të parashikimit të popullsisë duke dhënë edhe një historik nga vitat e 80-ta deri në vitin 2024.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërsa nga 2024 deri më vitin 2060, Kastrati tha se ky raport nuk duhet të merret si një parashikim absolut i së ardhmes por tha se është një projeksion shkencor i bazuar në të dhënat më të mira të disponueshme në Regjistrimin e Popullsisë 2024, statistikat vitale, migrimin dhe trendet historike.

Ai shtoi se raporti tregon drejtimin më të mundshëm të zhvillimeve demografike nëse trendet aktuale vazhdojnë. “Prandaj, ky raport nuk duhet parë si një kornizë strategjike për planifikim dhe jo si një parashikim i pandryshueshëm” – tha Kastrati.

Zv.ministri në detyrë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Agon Batusha, tha se të dhënat e sakta dhe të detajuara janë esenciale për të marrë vendime të duhura jo vetëm nga niveli qendror por edhe ai lokal. “Të gjithë e dimë që pa statistika, pa të dhëna, asnjë vendimmarrje nuk është e plotë.

Natyrisht që pa të dhëna ne shumë lehtë mund të marrim vendime të cilat nuk janë direkt në dobi të qytetarit” – tha Batusha. Përveç këtij raporti, ASK ka publikuar edhe raportin e Profilit të Komunave , ku ofrohet një pasqyrë e bazuar në fakte mbi karakteristikat demografike, sociale, ekonomike dhe të banimit të Kosovës.

Prezantimin e këtij raporti e bëri Idriz Shala, i cili tha se Profilet e Komunave janë përgatitur për t’i ofruar secilës komunë një pasqyrë të plotë statistikore, duke mbështetur planifikimin, zhvillimin dhe vendimmarrjen e bazuar në të dhëna. Ndër të tjera, Shala tha se ky raport nuk paraqet vetëm numrin e banorëve, por mënyrën se si jetojnë, arsimohen, punojnë dhe zhvillohen komunitetet.

Ndërsa për profilet e 38 komunave u tha se secila komunë është trajtuar veçmas me treguesit e saj demografikë, socialë dhe ekonomikë, ku për secilën prej tyre janë bërë analiza të detajuara të të dhënave, të cilat pasqyrojnë në mënyrë të qartë karakteristikat dhe zhvillimet në secilën komunë.

Hartimi i këtyre raporteve u tha se përmbylli një cikël prej 56 raporteve të bazuara në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave gjatë vitit 2024. Në hartimin e këtyre raporteve kontribues ishin edhe dy ekspertë ndërkombëtarë, Eduardo Jongstra dhe Tomas Kucera.

Jongstra dhe Kucera ishin të pranishëm në konferencën e ASK-së për publikimin e këtyre raporteve, gjatë të cilës folën për mbështetjen në hartimin e raporteve dhe rëndësinë në planifikim e vendimmarrje. Sipas Hazbije Qeriqit nga ASK, u bë e ditur se në raport janë përgaditur 2 mijë e 812 grafikone, 304 tabela statistikore, 152 harta tematike dhe 1 mijë e 250 tregues statistikorë.

Sipas regjiastrimit të fundit të popullsisë, të realizuar në vitin 2024, Kosova ka 1,585,590 banorë.

Burimi: Kallxo