Nga: Nail Draga Shpërndaje në: Ndonëse janë pritur ndryshime pozitive në kohën e pluralizmit, fatkeqësisht çështja e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi vazhdon me probleme të cilat janë kundër identitetit të shqiptarëve në këtë mjedis.
Fjala është për programet mësimore e tekstet shkollore në lëndët e identitetit kombëtar, ku përveç institucioneve arsimore në Mal të Zi, përgjegjësi kanë edhe partitë politike të shqiptarëve që janë pjesë e qeverisë, sepse ata duhet të angazhohen për avancimin e arsimit në shqip e jo të heshtin, sepse heshtja është nënshtrim Takimi i 12 vjetëve më parë kushtuar arsimit në shqip Pikërisht duke marrë parasysh gjendjen ekzistuese në fushën e arsimit më 14-, Këshilli Kombëtar Shqiptar në Ulqin organizoi seminarin në temën: “Pozita dhe nevojat e arsimit shqip në Mal të Zi”.
Ishte ky takimi i parë që është mbajtur në Mal të Zi kushtuar çështjes së arsimit në shqip në pluralizëm ku kanë marrë pjesë punonjës të arsimit dhe studiues të ndryshëm nga Mali i Zi, Shqipëria e Kosova.
Në fund janë miratuar përfundimet dhe rekomandimet, duke dëshmuar se pozita e arsimit në shqip në shkollat më mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, ballafaqohet me probleme programore e të teksteve shkollore që duhet të përmirësohen.
Fjala është për lëndët e identitetit kombëtar si: gjuhë shqipe e letërsi, histori, kulturë muzikore, gjeografi e art figurativ, prej nga del se nxënësit shqiptarë mësojnë për të tjerët e jo për veten. Ndonëse organizatorët premtuan se materialët e prezantuara do të botohen në një botim të veçantë, deri më tash nuk është realizuar.
Por, me një veprim të tillë nuk është për t’u çuditur sepse nga KKSH-ja, nuk janë botuar as materialet e konferencës shkencore kushtuar “Masakrës së Tivarit”, mbajtur në Ulqin më 30-. Mosbotimi i materialeve të tilla, dëshmon mosseriozitetin nga ana e organizatorit për çështjet e trajtuara, sepse nuk kemi të bëjmë me çështje personale, por të shqiptarëve në këtë mjedis.
Heshtja e partive politike është nënshtrim Ndonëse kanë kaluar 12 vjet nga ky takim, nuk kemi ndryshime pozitive, sepse çdo gjë vazhdon si më parë. Dhe për të ndryshuar kjo qasje nga ana e pushtetit, përkatësisht institucioneve arsimore ka munguar angazhimi i partive politike që përfaqësojnë shqiptarët në Kuvendin e Malit të Zi.
Fjala është për ato subjekte politike parlamentare që marrin pjesë në Qeveri, sepse deri më tash çështjes së arsimit në shqip nuk i kanë kushtuar kujdesin e merituar.
Pavarësisht rrethanave shoqërore e politike në vend, mosangazhimi i tyre si përfaqësuesit autentikë të shqiptarëve, nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse kemi të bëjmë me çështjet autonome në mbrojtje të identitetit kombëtar, si kudo në botën demokratike. Sepse ka kaluar koha e fjalëve të mëdha në fushatat zgjedhore, apo në takime të rastit, andaj duhet veprim konkret.
Duke marrë parasysh se shqiptarët janë e vetmja popullsi josllave me gjuhë të veçantë në Mal të Zi, në kuadër të Ministrisë së Arsimit për çështjen e arsimit në shqip, duhet të themelohet subjekti i veçantë me emrin Qendra e Arsimit në Shqip që do të ishte në favor të mbrojtjes dhe të avancimit të arsimit shqip në këtë mjedis.
Çdo hezitim apo heshtje në këtë drejtim si deri më tash, është nënshtrim. Tekstet nga lënda e historisë në depo Duke marrë parasysh gjendjen ekzistuese, e cila është papërshtatshme për nxënësit shqiptarë në shkollat në shqip, nga lëndët e identitetit kombëtar, një grup profesionistësh së bashku me KKSH-në dhe shtëpinë botuese të livrave shkollorë “Albas“, vitin e kaluar është angazhuar në përgatitjen e tekstit mësimor nga lënda e historisë për shkollën fillore e të mesme.
Një veprim i tillë ka mbështetje në nenin 79 të Kushtetutës së Malit të Zi (2007), Ministria e Pakicave: Strategjia e Politikave të Pakicave në Mal të Zi, për vitin 2008, 2019 dhe 2024, f. 32-33, dhe standardëve ndërkombëtare (BE).
Pas një pune serioze, këto dy tekste më në Ulqin i janë prezantuar opinionit në konferencë për media, duke cekur se tekstet e tilla përfaqësojnë historinë e shqiptarëve që është në kuadër të programit mësimor prej 20 për qind për lëndët e identitetit kombëtar.
Tekstet e tilla paraqesin përmbledhje temash nga historia kombëtare shqiptare dhe plotësojnë mungesën në programet mësimore në Mal të Zi. Por, ndonëse KKSH si botues, në bashkëpunim me partitë politike të shqiptarëve, e ka si obligim për shpërndarjen e teksteve të tilla në shkollat fillore e të mesme në shqip, deri më tash nuk është vepruar në këtë drejtim nga del se ato janë ende në depo.
Mbetet të presim që më në fund këto tekste të shpërndahen në shkolla, që nxënësit nga viti i ardhshëm shkollor t´i përdorin si tekste plotësuese mësimore të obligueshme.
Çdo hezitim në këtë drejtim do të ishte dështim i një pune profesionale në përgatitjen e teksteve të tilla, që është konform ligjit dhe standardëve ndërkombëtare, sepse janë në favor të barazisë arsimore, qytetare e kombëtare të shqiptarëve në këtë mjedis.
Ndërkohë, menjëherë duhet të vazhdohet me hartimin dhe botimin e librave të tjerë të lëndëve identitare, të programuara në seminarin e vitit 2014, në mënyrë që kjo çështje problematike e arsimit në shqip në Mal të Zi të zgjidhet njëherë e mirë.
Mungesa e angazhimit nga Shqipëria Ndonëse sipas nenit 8 të kushtetutës Qeveria e Shqipërisë e ka obligim që të përkujdeset për shqiptarët jashtë Shqipërisë, deri më tash për shqiptarët në Mal të Zi në fushën e arsimit ka munguar angazhimi konkret.
Edhe pse në mes dy qeverive ka një bashkëpunim ku janë realizuar takime e nënshkruar marrëveshje të ndryshme në mes dy palëve, fusha e arsimit është margjinalizuar. Në këtë drejtim ka munguar angazhimi konkret nga ana e Qeverisë së Shqipërisë, sepse është dashur të nënshkruhet Memorandumi në fushën e arsimit në mes dy vendeve.
Një dokument i tillë do të ishte në favor të shqiptarëve në Mal të Zi, ku arsimi në shqip në shkollat më mësim në gjuhën shqipe do të ishte me efekte pozitive. Zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare Mosangazhimi konkret në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse arsimi është baza e mbrojtjes së identitetit kombëtar.
Sepse nuk mjafton të thuhet se shqiptarët në Mal të Zi mësojnë shqip në shkolla, por ka munguar pyetja se me çfarë programesh mësimore mësojnë dhe cilat tekste shkollore i përdorin dhe sa janë të pranueshme për shqiptarët në viset e tyre në këtë mjedis.
Pikërisht kjo është çështja shqetësuese për shqiptarët, sepse ka mbetur e pazgjidhur nga koha e monizmit edhe tash në pluralizëm, që kërkon zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare.
Në këtë aspekt ekzistojnë modele nga vendet demokratike evropiane si Zvicra, Belgjika, Finlanda etj., por duhet vullnet politik për veprime konkrete në favor të barazisë qytetare e kombëtare, duke eliminuar unitarizmin e duke aplikuar pluralizmin arsimor, si kudo në vendet demokratike shumëkombëshe ku Mali i Zi është i veçantë në Evropën Juglindore.
