“Anulojeni!”: Financimi i koncertit të Kanye West me paratë e shtetit

0%

Përdorimi nga qeveria i 4.2 milionë eurove nga fondi rezervë i emergjencave për të financuar koncertin e reperit kontrovers – pasi më herët ishte zotuar se nuk do të shpenzonte asnjë qindarkë – ka zemëruar kritikët e saj.

“Ju lutem, anulojeni këtë koncert,” shkroi një shqiptar në një koment në postimin e Kanye West në Instagram, përpara koncertit të reperit amerikan në Tiranë më – i cili zhvillohet ndërkohë që në vend po mbahen protesta masive për një çështje krejt tjetër. “Shqipëria tashmë po proteston kundër projektit kontrovers të Jared Kushner dhe ky event thjesht do t’i thellojë ndasitë.

Dëgjoni popullin, jo politikën”- i bëri thirrje komentuesi West-it, i cili njihet me emrin artistik Ye, duke iu referuar mosmarrëveshjeve mbi një resort luksoz të planifikuar në një zonë të mbrojtur.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vendimi i qeverisë për të ndarë 4.2 milionë euro për financimin e koncertit – pasi fillimisht kishte këmbëngulur se eventi do të vetëfinancohej – ka zemëruar shumë prej atyre që janë përfshirë në protestat e nxitura nga projekti bregdetar i lidhur me dhëndrin e Donald Trump.

Edhe shqiptarë të tjerë i janë drejtuar West-it në rrjetet sociale për të shprehur zhgënjimin e tyre, duke i kërkuar të mos vijë në Shqipëri. Ata dyshojnë se koncerti është një përpjekje për të përmirësuar imazhin e kryeministrit Edi Rama, dorëheqjen e të cilit protestuesit po e kërkojnë.

Rama e ka promovuar koncertin e ardhshëm në rrjetet sociale dhe të mërkurën publikoi një video 10-minutëshe në Facebook, ku këmbënguli se qeverisë iu desh të ndërhynte që koncerti të mos dështonte.

“4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West – ndërkohë që plot të tjerë janë trembur nga frika e anullimit të koncertit”- tha Rama. Ky pretendim u pa nga shumë njerëz si një lëvizje e dëshpëruar – dhe si një konfirmim se biletat po mbeteshin të pashitura.

Shumë e konsiderojnë gjithashtu të papërgjegjshme kohën kur u mor ky vendim, ndërsa në Tiranë zhvillohen protesta të përditshme që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe e akuzojnë atë për korrupsion. Dorela Lazaj, avokate dhe aktiviste me bazë në Tiranë, e quajti vendimin për të mbështetur financiarisht koncertin një “vendim të minutës së fundit dhe antikushtetues”.

“Përdorimi i fondit rezervë, i destinuar për emergjenca ose fatkeqësi kombëtare, që përbën 10 milionë euro në një ekonomi që mbështetet në masë të madhe te turizmi sezonal, është antikushtetues”- tha Lazaj për BIRN. Ajo tha se Rama nuk kishte dhënë argumente të qarta “përse u mor ky vendim, mbi çfarë baze dhe me çfarë arsyetimi”.

“Në vend të kësaj, publiku mori një shpjegim tronditës: ‘që të mos turpërohemi para botës’ – në një kohë kur papunësia dhe varfëria janë në nivele alarmante”- tha ajo. Disa media kanë pretenduar se biletat për koncertin e Ye po shpërndahen falas në Tiranë, përfshirë edhe për nxënës të shkollave të mesme.

Portali Lapsi.al raportoi se “në rrjetet sociale po qarkullojnë mesazhe SMS që pretendojnë se drejtorët e shkollave po ua shpërndajnë biletat nxënësve, gjoja si shpërblim për nxënësit e mirë”.

Disa influencues dhe figura publike, si moderatorja televizive Grida Duma, kanë shpërndarë gjithashtu në rrjetet sociale njoftime nga organizatorët e koncertit, ku thuhet se “nëse blini katër bileta për koncertin e Kanye West, mund të merrni një falas”.

Autoritetet ishin angazhuar tashmë për të ndërtuar një stadium të përkohshëm posaçërisht për koncertin e Ye, me shpresën se ai do të rrisë prestigjin ndërkombëtar të vendit, i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, një organizatë joqeveritare, njoftoi të enjten se ka depozituar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë për të financuar koncertin. Antisemitizmi rrezikon të “legjitimohet” Debati mbi financimin vjen krahas pikëpyetjeve nëse West, koncertet e të cilit janë ndaluar në shumë vende të tjera, duhet të mirëpritet në Shqipëri.

West-it iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të komenteve të tij antisemite dhe këngës që publikoi me titull “Heil Hitler”, ndërsa pjesëmarrja e tij e planifikuar në një festival në Londër u anulua. Një tjetër performancë e planifikuar në turneun e tij evropian, në Chorzów të Polonisë, u anulua gjithashtu. Australia ia ndaloi hyrjen në vend West-it në vitin 2025.

Sipas mediave shqiptare, Komuniteti Hebre Shqiptar bëri thirrje për ndalimin e koncertit në Tiranë, duke deklaruar se “ofrimi i një platforme publike sot për një figurë të lidhur me retorikë që shënjestron komunitetin hebre nuk do të përfaqësonte hapje kulturore, por një kontradiktë morale. “Një koncert i tillë nuk është ‘thjesht një koncert’. Ai është një përforcim i mesazhit.

Është një legjitimim në sytë e publikut, edhe kur kjo nuk thuhet drejtpërdrejt”- shtoi ai. Koncerti zhvillohet gjithashtu në një kohë kur Shqipëria po forcon lidhjet me Izraelin. Rama u prit me duartrokitje në këmbë në Knesset-in izraelit në janar, kur mbajti një fjalim mbi vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur hebrenjtë e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti atë “një mik të madh të shtetit hebre”. Deputeti i opozitës Gazment Bardhi i kërkoi muajin e kaluar Ministrisë së Kulturës të anulonte koncertin, duke iu referuar komenteve antisemite të West-it. Megjithatë, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, e mbështeti West-in, duke e quajtur “një artist të madh”.

West ka deklaruar se komentet e tij antisemite dhe pro-naziste kanë qenë pasojë e çrregullimit të tij bipolar. Në janar, ai publikoi një reklamë në Wall Street Journal për të kërkuar falje dhe për të deklaruar se: “Unë nuk jam nazist dhe as antisemit.” Ndërkohë, Bardhi këmbëngul se çështja kryesore është përdorimi i fondeve publike.

“Buxheti i shtetit nuk është një fond për financimin e aktiviteteve private”- tha ai. “Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye që paratë e taksave të tyre të përdoren për të financuar një aktivitet privat apo për përhapjen e urrejtjes”- shtoi ai.

Ndikimi në turizëm vihet në pikëpyetje Foto: BIRN Qeveria u është përgjigjur kritikave ndaj eventit të planifikuar duke vënë në pah përfitimet e mundshme për turizmin. Ministria e Kulturës tha për BIRN në prill se koncerti do të “ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin e turizmit dhe ekonomisë vendore”.

Në maj 2026, ministria tha gjithashtu për BIRN se, përveç garantimit të sigurisë, Shqipëria nuk do të paguante për asgjë që lidhej me koncertin. “Të gjitha shpenzimet e tjera që lidhen me koncertin mbulohen nga organizatorët; buxheti i shtetit nuk mbulon asnjë kosto të vetë koncertit”- e siguroi ajo BIRN-in.

“Ne parashikojmë të ardhura prej jo më pak se 100 milionë eurosh”- tha Rama të mërkurën (), duke shtuar se do të kishte gjithashtu përfitime afatgjata për ekonominë. Por Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financave, vuri në dyshim nëse një përfitim prej rreth 100 milionë eurosh ishte një pritshmëri realiste.

“Nëse kjo metrikë do të ekzistonte, ajo duhej të konsiderohej një shifër zyrtare, duke u shndërruar automatikisht në një objektiv që duhet arritur”- shkroi ajo. “Shifra prej 100 milionë eurosh jo vetëm që nuk është zyrtare, por, për turpin e gjithë qeverisë, është një hamendësim i dobët dhe i pabazuar, i bërë në mungesë njohurish”- shtoi ajo.

“E them ‘në mungesë njohurish’, sepse ekonomia e koncerteve tregon se të ardhurat edhe nga koncertet më të mëdha në stadiume, me kapacitet mbi 80 mijë spektatorë, nuk i kanë kaluar 47 milionë dollarë amerikanë”- shtoi ajo.

Zak Topuzi, ekspert i turizmit, tha për BIRN se bizneset e vogla do të përfitonin nga eventi, duke theksuar se “që prej muajit maj ka pasur kërkesë të lartë për akomodim në Tiranë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Greqia”.

“Ekonomia vendore e Tiranës do të përfitojë pa dyshim për disa ditë nga koncerti, ndërsa ndikimi afatgjatë do të varet nga fakti nëse ky event do të shërbejë si precedent për tërheqjen e aktiviteteve të tjera ndërkombëtare”- shtoi Topuzi.

Ermal Hasimja, analist politik, tha se qeveria shpreson qartë që koncerti – dhe debati rreth tij – do ta largojë vëmendjen nga protestat e vazhdueshme kundër Ramës. “Është një lloj taktike për të shpërqendruar vëmendjen”- tha Hasimja për BIRN. “Në këtë fazë, çdo polemikë ose kritikë e drejtuar ndaj qeverisë është më e pranueshme për të sesa çështja e protestave.” Reporter.al

Burimi: Kallxo