Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka vizituar zonat e prekura nga vërshimet në fshatrat Dardani dhe Zllatar, pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan dëme në infrastrukturë, ekonomi familjare dhe bujqësi.
Në këtë vizitë, Aliu u shoqërua nga drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Alberton Sahiti, drejtori i Bujqësisë, Burim Bajrami, drejtori i Infrastrukturës, Meriton Hajdini, si dhe përfaqësues të fshatrave të prekura.
Sipas njoftimit të Komunës së Ferizajt, gjatë vizitës janë evidentuar dëme të konsiderueshme në disa sektorë, si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e fundit. “Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtorët komunalë dhe kryetarët e fshatrave, vizituan zonat e përmbytura nga reshjet e dendura të shiut në fshatrat Zllatar dhe Dardani”, thuhet në njoftim.
Komuna ka bërë të ditur se dëmet e shkaktuara përfshijnë infrastrukturën publike, ekonomitë familjare dhe kulturat bujqësore.
“Dëmet janë evidente dhe ato shtrihen që nga infrastruktura publike, dëmet në ekonomi familjare e kultura bujqësore, dëme këto për të cilat Komuna do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe sipas mundësive të saj për të mbështetur këto familje dhe biznese”, thuhet më tej në njoftimin e Komunës së Ferizajt.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë vlerësimin e dëmeve dhe ndërmarrjen e masave për tejkalimin e situatës së krijuar nga vërshimet. / Telegrafi
