Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të ndodhura në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal, duke akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për bllokim të dhunshëm të punës së institucionit.
Përmes një reagimi publik, Hyseni tha se ajo që ndodhi në seancë nuk mund të konsiderohet opozitarizëm, por uzurpim i institucionit dhe pengim me forcë i zhvillimit normal të punimeve.
“Ajo që ndodhi sot në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal të Gjilanit nuk ishte opozitarizëm, por uzurpim i institucionit dhe pengim me dhunë i punës së Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK)”, ka shkruar ai. Postim i plotë: Uzurpatorët bllokues të dhunshëm.
Ajo që ndodhi sot në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal të Gjilanit nuk ishte opozitarizëm, por uzurpim i institucionit dhe pengim me dhunë i punës së Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Tërheqja me forcë e mikrofonit dhe mjeteve të punës, si dhe skena ku katër burra ushtrojnë presion ndaj një gruaje të vetme, Kryesueses së Kuvendit të Komunës, Krenare Latifi Kqiku, janë të papranueshme në çdo standard demokratik. Këto veprime nuk përfaqësojnë debat politik, por tentativë për ta zëvendësuar fjalën me forcën.
Qytetarët e Gjilanit nuk na kanë zgjedhur për të parë bllokada e dhunë. Na kanë zgjedhur për të marrë vendime, për të punuar dhe për t’u shërbyer atyre. Institucionet nuk do t’i dorëzohen uzurpatorëve. Puna për Gjilanin do të vazhdojë me vendosmëri, në respekt të ligjit, demokracisë dhe dinjitetit të çdo përfaqësuesi të zgjedhur.
