Policia e Kosovës ka konfirmuar një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”, afër pikëkalimit kufitar në Vërmicë. Sipas forcave të rendit, tetë persona janë lënduar. “Në orën , policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë, 4 km para Pikës Kufitare Vërmicë. Në aksident janë përfshirë gjashtë automjete.
Si pasojë e aksidentit, tetë persona kanë pësuar lëndime. Policia, Njësia e Autostradës, është duke u marrë me procedurat në vendngjarje” – tha për KALLXO.com Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës. Në anën tjetër, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar njoftoi se në pikëkalimin mes Kosovës dhe Shqipërisë janë regjistruar kolona të automjeteve.
Ky institucion bëri thirrje edhe për respektim të rregullave të komunikacionit. “Ju njoftojmë se në dalje nga Kosova për në Shqipëri prapë kemi kolona dhe pritje të gjata, edhe pse është duke vazhduar puna me kontrolle minimale me të gjitha kapacitetet e mundshme në PKK Morinë. Ju inkurajojmë që të shfrytëzoni PKK-të tjera si alternativë.
Po ashtu, ju kërkojmë që të respektoni rregullat e komunikacionit rrugor dhe të keni kujdes në vozitje” – thuhet në njoftim.
