Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se çështja e përfshirjes së Kosovës në projektin e gazit amerikan nuk mund të reduktohet në një përgjigje të thjeshtë “po” ose “jo”, por kërkon diskutime të thelluara institucionale dhe profesionale.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve rreth kësaj çështje, Haxhiu tha se institucionet përgjegjëse dhe ekspertët e fushës duhet të vlerësojnë me kujdes përfitimet, kostot dhe ndikimin që një projekt i tillë mund të ketë për qytetarët dhe për Republikën e Kosovës. “A duhet Kosova ta pranojë apo jo gazin amerikan, nuk është çështje e përgjigjeve ‘po’ ose ‘jo’.
Është shumë e rëndësishme që të ketë diskutime në nivel të institucioneve përgjegjëse dhe të ekspertëve, në mënyrë që të analizohen përfitimet, kostot dhe aspektet e tjera që ndërlidhen me këtë projek t”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se Kosova nuk ka refuzuar asnjëherë projekte që janë në interes të qytetarëve dhe të shtetit, por shtoi se për tema të tilla strategjike nevojiten diskutime serioze dhe vendimmarrje e bazuar në analiza profesionale.
Sipas saj, institucionet e Kosovës mbeten të hapura për dialog dhe shqyrtim të të gjitha opsioneve, ndërsa theksoi se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tashmë është duke u marrë me këtë çështje. “Ne nuk ia kemi mbyllur derën diskutimeve serioze. Jemi të hapur që të diskutojmë për këtë. Ministrja Rizvanolli ka diskutuar për këtë çështje dhe po punon në këtë drejtim.
Duhet t’u japim mundësinë institucioneve përgjegjëse që të japin përgjigjen finale ”, u shpreh Haxhiu. Ajo reagoi edhe ndaj kritikave që janë bërë lidhur me qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj projektit, duke kundërshtuar pretendimet se shqyrtimi i alternativave të tjera energjetike mund të interpretohet si qëndrim kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nëse Kosova sheh një zgjidhje tjetër si më të mirë, pse duhet të kritikohet dhe pse institucionet e Republikës së Kosovës të konsiderohen antiamerikane? Institucionet e Kosovës punojnë për interesat e qytetarëve dhe mbështesin projekte që janë në favor të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo nuk duhet të shihet si antiamerikanizëm”, deklaroi Haxhiu.
Ajo shtoi se qasjet që e paraqesin debatin për projektin e gazit në terma politikë nuk i shërbejnë as Kosovës dhe as partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
