Haxhiu: Kosova nuk i ka mbyllur derën diskutimeve serioze për projektin e gazit amerikan

0%

Shpërndaje në: Qeveria e Kosovës nuk e ka refuzuar mundësinë e përfshirjes në projektin e gazit amerikan, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke shtuar se vendimet për çështje të tilla duhet të merren pas diskutimeve dhe vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushës.

Ajo ka shtuar se çështja e gazit nuk mund të reduktohet me përgjigje të thjeshta, pasi sipas saj, kërkohet analizë e plotë e kostove dhe përfitimeve për qytetarët e saj. Ka deklaruar se Kosova nuk ua ka mbyllur derën diskutimeve serioze për çështjen e gazit dhe se institucionet përgjegjëse janë duke punuar për këtë.

“Sa i përket kësaj çështje, unë mendoj që a duhet Kosova ta pranojë apo jo gazin, nuk është çështje e përgjigjeve me ‘po’ ose ‘jo’.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mendoj që është shumë e rëndësishme që të ketë diskutime në nivel të institucioneve përgjegjëse, në nivel të ekspertëve, në mënyrë që të diskutohet për përfitimet, për koston që ndërlidhet në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për aspekte të tjera të cilat i takojnë ekspertëve të fushës që të merren me këto”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, institucionet e Kosovës janë të hapura për diskutime serioze lidhur me këtë projekt dhe nuk kanë refuzuar iniciativa që konsiderohen në interes të qytetarëve. “Kosova asnjëherë nuk u ka thënë jo projekteve që janë në të mirën e interesit publik, në të mirën e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Mirëpo, për tema të tilla duhet që të ketë diskutime serioze.

Ne nuk ia kemi mbyllur derën diskutimeve serioze, jemi të hapur që të diskutojmë për këtë. Ministrja Rizvanolli ka diskutuar për këtë çështje dhe po punon në këtë drejtim. Prandaj, le t’ia japim mundësinë institucioneve përgjegjëse që të japin përgjigjen finale për këtë”, tha ajo.

Ajo kundërshtoi vlerësimet se mospajtimi eventual me projekte të caktuara energjetike mund të interpretohet si qëndrim antiamerikan, duke theksuar se institucionet vendimmarrëse duhet të veprojnë bazuar në interesin e qytetarëve të Kosovës.

“Në qoftë se Kosova, Republika e Kosovës, sheh një zgjidhje tjetër si një zgjidhje më të mirë, atëherë pse duhet që të kritikohet dhe pse duhet që qeveria apo institucionet e Republikës së Kosovës të konsiderohen antiamerikane?

Institucionet e Republikës së Kosovës punojnë për interesat e qytetarëve dhe natyrisht mbështesin projekte që janë në favor të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve, mirëpo kjo nuk do të duhej të shihej si antiamerikanizëm. Dhe mendoj që me këtë qasje nuk po e ndihmojmë as Republikën e Kosovës, por as partneritetin”, tha ajo.

Partitë opozitare dhe Odat Ekonomike në Kosovë kanë kërkuar nga Qeveria përfshirjen e Kosovës në projektet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) amerikan.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, përmes një opinioni në fillim të muajit qershor i pati bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.

Burimi: Koha