Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur pasaktësi në raportimin e detyrimeve kontigjente në Universitetin e Prishtinës pasi në katër raste ishin prezantuar lëndë që veçse ishin paguar në vlerë prej 58 mijë e 94 euro. Kjo është në mesin e gjetjeve të ZKA-së për UP-në gjatë vitit 2025. Detyrimet kontigjente janë detyrimet e grumbulluara që vijnë nga rastet në Gjykata.
ZKA ka gjetur po ashtu se në katër raste vlera e detyrimeve të prezantuara ishte shumë më e lartë se vlera e lëndëve të ofruara, e që sipas zyrtarëve të UP-së, kjo është si pasojë e kamatës së përfshirë.
Sipas ZKA, kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së komunikimit të mirëfilltë ndërmjet zyrës ligjore dhe zyrës së financave në kuadër të UP-së, si dhe “dobësive në kontrolle lidhur me mbajtjen e evidencave të plota dhe raportimit të saktë të tyre në Pasqyrat Financiare Vjetore.” “Në dy raste tjera, përshkrimi i lëndëve të prezantuara në regjistër nuk ishin të ngjashme me dokumentet burimore për shkak të gabimeve në përshkrim.” – thuhet në raport të ZKA-së për UP-në.
“Shpalosja jo e saktë e detyrimeve kontigjente ndikon që palët e interesit apo shfrytëzuesit e Pasqyrave Financiare Vjetore të mos informohen drejtë dhe saktë, duke pasur ndikim negativ në vendimmarrje.” – kanë shtuar në raport nga ZKA. Menaxhmenti i Univeristetit të udhëhequr nga rektori Arben Hajrullahu është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.
Kështu, ZKA rekomandon që rektori të siguroj një koordinim më të mirë të zyrës ligjore dhe asaj të financave me qëllim që regjistrat e detyrimeve kontigjente të mbahen të saktë dhe të azhurnuar me informatat e reja, në mënyrë që shënimet në Pasqyra Financare Vjetore të prezantohen të sakta.
Në anën tjetër, sipas një raporti të Helvetas Swiss Intercooperation, detyrimet kontigjente nëse nuk regjistrohen ose raportohen siç duhet, ato mund të çojnë në tejkalime të buxhetit, kualifikime të auditimit dhe ulje të transparencës financiare.
KALLXO.com raportoi po ashtu edhe për pagesa në vlerë 207 mijë e 53 euro të ekzekutuara nga Thesari e që i takojnë buxhetit të UP-së, për shkak të disa vendimeve gjyqësore, janë regjistruar në kategori ekonomike jo adekuate gjatë vitit 2025. Raporti i ZKA-së për UP-në për vitin 2025 ka rezultuar me 6 rekomandime, të cilat janë të përsëritura.
Kurse, për rekomandimet e vitit të kaluar, ZKA thotë se Universiteti i kishte zbatuar dy prej nëntë rekomandimeve të dhëna dhe një është mbyllur. Sipas ZKA, UP në vitin 2025 ka shpenzuar 30 mijë e 478 euro e 129 centë apo 90% e buxhetit final me një zvogëlim prej 5% krahasuar me vitin 2024.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë Opinion të kualifikuar Universitetit të Prishtinës në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2025. Opinioni i kualifikuar është Opinioni i dytë më i mirë që u jepet institucioneve pas Opinionit të pamodifikuar. Ky Opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në Pasqyrat financiare.
Raportin e plotë të auditimit të UP-së për vitin 2025 mund ta gjeni në këtë LINK .
