Mbi 120 mijë euro pagesa janë regjistruar në kategori të gabuara buxhetore nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e cila ka gjetur se kjo ministri nuk i ka klasifikuar saktë një pjesë të shpenzimeve të saj gjatë vitit 2025.
Sipas raportit të auditimit, një pjesë e investimeve dhe madje edhe pagesave që lidhen me paga janë evidentuar si “mallra dhe shërbime”, duke shtrembëruar paraqitjen reale të shpenzimeve në pasqyrat financiare. Gjetja e auditorëve përfshin tri pagesa kryesore.
Rasti më i madh lidhet me kontratën për furnizimin dhe montimin e kabllove të energjisë elektrike në zyrat rajonale të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Mitrovicë, Pejë dhe Gjilan, ku dy pagesa në vlerë totale prej 94 mijë e 473 euro janë regjistruar si shpenzime për mallra dhe shërbime, megjithëse sipas natyrës së tyre duhej të trajtoheshin si investime kapitale.
Po ashtu, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) është evidentuar një pagesë prej 25 mijë e 587 euro për kthim në punë dhe kompensim pagash, e cila ishte regjistruar në kategorinë “mallra dhe shërbime”, ndonëse duhej të ishte evidentuar në kategorinë e pagave dhe mëditjeve.
Auditorët vlerësojnë se klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ndikon drejtpërdrejt në raportimin financiar, pasi krijon mbivlerësim ose nënvlerësim të kategorive të caktuara buxhetore dhe rrjedhimisht paraqet një pasqyrë jo të saktë të mënyrës se si janë shpenzuar fondet publike.
“Klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve ka ndodhur si rezultat i kontrolleve jo të mjaftueshme me rastin e planifikimit, ekzekutimit dhe mbikëqyrjes së shpenzimeve”- thuhet tutje në raport.
Për këtë arsye, ZKA ka rekomanduar që ministri, në bashkëpunim me drejtuesit e agjencive vartëse, të sigurojë që të gjitha pagesat dhe regjistrimet financiare të bëhen sipas kodeve ekonomike të përcaktuara në planin kontabël.
Auditorët kanë kërkuar gjithashtu që, kur planifikimet buxhetore nuk përputhen me natyrën e shpenzimeve, të bëhet ridestinimi i fondeve për të shmangur keqklasifikimet. Ministria e Bujqësisë është pajtuar me gjetjen dhe rekomandimet e auditorëve. Kjo ministri ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori.
ZKA jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. Ky raport i ZKA-së për ministrinë ka rezultuar me 15 rekomandime. Prej tyre, 9 janë rekomandime të reja, 5 janë të përsëritura dhe një rekomandim është pjesërisht i përsëritur. Në raportin e auditimit në vitin 2024, kjo ministri kishte marrë 8 rekomandime.
Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .
