Blegtoria shqiptare vijon të tkurret, duke sjellë më pak qumësht, vezë dhe produkte të tjera ushqimore, ndërsa bagëtive dhe shpendëve ka pësuar rënie gjatë vitit 2025. Të dhënat e instat tregojnë se edhe prodhimi bujqësor shënoi rënie të kulturave në sera dhe pemëve frutore Gjithmonë e më pak ushqim nga prodhimi blegtoral vendas po shtrohet në tryezat e shqiptarëve.
Të dhënat më të fundit të INSTAT për vitin 2025 tregojnë se blegtoria në vend po përballet me një tkurrje të vazhdueshme, e cila po reflektohet drejtpërdrejt në prodhimin e qumështit, vezëve dhe produkteve të tjera ushqimore. Rënia më e dukshme vihet re te qumështi, një nga produktet bazë të konsumit.
Nga mbi 1 milion tonë të prodhuara në vitin 2021, sasia e grumbulluar vitin e kaluar zbriti në më pak se 876 mijë tonë, ose rreth 130 mijë tonë më pak në vetëm pesë vite. Vetëm gjatë vitit 2025, prodhimi i qumështit ra me mbi 8 mijë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve u ul me 53 milionë kokrra.
Prodhimi i mishit shënoi një rritje të lehtë, duke arritur në 134 mijë tonë, por mbetet i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesën e tregut, i cili vijon të mbështetet te importet. Pas këtyre shifrave qëndron rënia e numrit të bagëtive. Goditjen më të fortë e ka pësuar numri i derrave, i cili ra me mbi 28 për qind krahasuar me një vit më parë. Në rënie janë edhe delet, dhitë dhe shpendët.
Numri i dhive u pakësua me rreth 40 mijë krerë, ndërsa delet me 36 mijë krerë. Edhe sektori i shpendëve u godit nga gripi i shpendëve, duke humbur mbi 370 mijë pula brenda një viti. Lajmet pozitive vijnë vetëm nga gjedhët, të cilët shënuan një rritje të lehtë, si dhe nga bletaria. Numri i koshereve u rrit me 9.8 për qind, ndërsa prodhimi i mjaltit u shtua me rreth 360 tonë.
Edhe bujqësia nuk i shpëtoi luhatjeve. Gjatë vitit 2025 u shënua rënie e prodhimit të grurit, pemëve frutore dhe kulturave në sera. Sektori u mbështet nga rritja e perimeve të fushës dhe bostanoreve. Fermerët shqiptarë prodhuan 9.7 milionë tonë produkte bujqësore, ku mbi 60 për qind e perimeve u kultivuan në qarqet Fier, Tiranë dhe Berat.
