Vala e të nxehtit që ka përfshirë të gjithë Europën, e shoqëruar me temperatura të larta që në fundjavë pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, rrit rrezikun për shëndetin e qytetarëve. Temperaturat e larta dhe dehidratimi shkaktojnë goditje nga nxehtësia dhe përkeqësim të sëmundjeve kronike, sidomos te mosha e tretë, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë publikuar disa këshilla se si t’i përballojmë temperaturat e larta të këtyre ditëve pa pasoja në shëndet. “Kujdes me foshnjat e vogla, jo vetëm për t’i mos ekspozuar në diell, por edhe për veshjen sa më të lehtë dhe ushqyerjen e tyre.
Po aq kujdes u kërkohet familjarëve për ruajtjen e ushqimeve apo gatimin, pasi kontaminohen shpejt dhe mund të shkaktojnë probleme gastrointestinale tek familjarët“, deklaroi Rudina Cunashi, eksperte e ISHP.
Në këto temperatura, të sëmurët kronikë duhet të kontaktojnë mjekun e tyre, pasi mund të jetë e nevojshme ndryshimi i dozave të medikamenteve që marrin, në varësi të patologjisë që kanë.
“Këto këshilla vlejnë edhe për ata që janë duke pushuar në bregdet, pasi futja e menjëhershme në ujë pas qëndrimit të gjatë në diell është e rrezikshme dhe mund të shkaktojë infarkt“ , shprehet Rudina Cunashi.
