Kandidatët për deputetë nga radhët e Partisë Demorkatike të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu janë ankuar në Gjykatën Supreme. Ata po kërkojnë rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve për deputetë nga kjo parti. Haxhiu para dorëzimit të ankesës ka thënë se së bashku me Kryeziun dorëzuan kërkesën me arsyetimin e me rinumërimin e disa vendvotimeve kanë dalë gabime.
“Në këtë rinumërim janë 220 vota që i janë shtuar ose hequr kandidatëve. Prandaj për të pasur një rezultat të saktë, kërkojmë që Gjykata Supreme të miratojë kërkesën tonë dhe të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e votave preferenciale të kandidatëve të Partisë Demokratike”- ka thënë Haxhiu. Kryeziu në anën tjetër ka thënë se gabimet nuk janë të vogla.
“Gara është shumë e ngushtë për deputet, si për kolegun si për mua, me një marzhë gabimi prej 589 votave që ka ndodh në sistemin e KQZ-së dhe pastaj thanë që vetëm 2 janë shtu. Na thanë që është gabim teknik i vogël, por ne e kemi të drejtën tonë me u anku”- ka thënë Kryeziu.
Të dy kanë kërkuar saktësi në rezultatin zgjedhor dhe kanë thënë se askush nuk ka të drejtë të bëj ndryshim të vullnetit të votuesve. Haxhiu ka thënë se ka biseduar edhe me Bedri Hamzën, kryetarin e PDK-së, dhe se, ai ka qenë pro kësaj kërkese. “Po kërkojmë vetëm numërim të saktë dhe për këtë e kemi mbështetjen e plotë të kryetarit të PDK-së.”- tha Haxhiu.
Kërkesa e Haxhiut dhe Kryeziut është që të hedhen poshtë vendimet e PZAP-së dhe të rinumërohen këto vota. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më ka hedhur poshtë ankesat e Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave të Partisë Demokratike të Kosovës, konkretisht të kandidatëve për deputetë të këtij subjekti politik.
Të dy, kërkesën e kishin të bazuar në ndryshimet në votat e tyre pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, për të cilat mori vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
KQZ në përgjigjen e saj për PZAP-në, ka thënë se pas rinumërimit të këtyre vendvotimeve nuk është evidentuar ekzistimi i ndonjë modeli sistematik të pasaktësive, pasi ndryshimet janë evidentuar në të dy drejtimet, ku një numër kandidatësh kanë fituar vota ndërsa kandidatë të tjerë kanë humbur vota.
Ky institucion po ashtu ka thënë se ankuesit nuk kanë identifikuar ndonjë vendvotim apo qendër votimi jashtë mostrës së rinumëruar dhe nuk kanë paraqitur prova konkrete që do të mbështesnin pretendimin e tyre. PZAP pasi shqyrtoi ankesat, erdhi në përfundim se ato janë të pabazuara.
“Nga përmbajtja e këtij vendimi rezulton se rinumërimi është urdhëruar si pjesë e një mekanizmi kontrollues të paraparë me legjislacionin zgjedhor, me qëllim verifikimin saktësisë së procesit të numërimit dhe jo si rezultat i konstatimit paraprak të parregullsive sistematike në procesin e administrimit dhe numërimit të votave.”- thuhet në vendimin e PZAP-së.
Për rastin e Qëndrim Kryeziut që kishte pretenduar se ka 589 vota më shumë pas rinumërimit të 185 vendvotimeve, PZAP ka thënë se realisht, atij i kanë dalur dy vota më pak dhe se pretendimi i tij nuk përputhet me të dhënat e KQZ-së. Vendimet për këto raste mund të qasen këtu dhe këtu . Sipas rezultateteve të KQZ-së Haxhiu ka 20 mijë e 541 vota, kurse Kryeziu 6 mijë e 758 vota.
Më , KALLXO.com raportoi edhe për dy ankesa në PZAP që Haxhiu i dorëzoi si pasojë e pakënaqësisë në lidhje me votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Haxhiu mori 21 mijë e 520 vota bazuar në rezultatet e publikuara nga KQZ-ja për zgjedhjet e datës . Edhe pse ishte i njëzeti më i votuari në PDK, nuk siguroi vend në Kuvend shkaku i kuotës gjinore.
Ndonëse iu shtuan rreth 440 vota gjatë rinumërimit, atij i duheshin edhe 600 për ta siguruar ulësen e deputetit pa ia rrezikuar kuota. Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e datës , LVV ka fituar 53 mandate, PDK 22, LDK 18, LS 9, Aleanca 7, KDTP 2, ZPSO 1 dhe tetë mandate partitë tjera të komuniteteve joshumicë joserbe.
