Pothuajse 67 përqind e ukrainasve presin që Presidenti Volodymyr Zelensky të zëvendësohet pas përfundimit të luftës, sipas një sondazhi nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë i Kievit (KIIS) i publikuar sot. Këto të dhëna përfaqësojnë një rritje të konsiderueshme krahasuar me 23 përqind në vitin 2023, dhe vijnë në një kohë kur Zelenski po hyn në vitin e shtatë të mandatit të tij presidencial, shkruan Kyiv Independent . Sondazhi pasqyron kërkesën më të gjerë publike për ndryshime edhe në degët e tjera të qeverisjes, megjithëse sondazhe të shumta kanë treguar vazhdimisht se shumica e ukrainasve kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve derisa të mbarojnë armiqësitë. Shumica dëshiron rivendosjen e pushtetit pas luftës Të anketuarve iu kërkua nëse besonin se Ukraina duhet të kryejë rindërtim pas luftës dhe të zëvendësojë qeverinë qendrore – duke përfshirë presidentin, qeverinë dhe parlamentin – me qëllim rindërtimin e vendit. Numri i ukrainasve që presin të paktën një nivel ndryshimi në organet e qeverisë qendrore është rritur në 88 përqind, krahasuar me 73 përqind në vitin 2023. Studimi tregon se edhe midis atyre që i besojnë plotësisht Zelensky-t, 33 përqind presin që ai të largohet pas luftës. Kjo përqindje rritet në 68 përqind midis atyre që i besojnë kryesisht dhe 97 përqind midis atyre që nuk i besojnë fare. Sondazhi zbuloi gjithashtu se pjesa e ukrainasve që e konsiderojnë ndërhyrjen e presidentit në punën e parlamentit dhe qeverisë të justifikuar ka rënë në 52 përqind krahasuar me vitin 2022. Mbështetja për rivendosjen e parlamentit pas luftës është rritur në 83 përqind nga 69 përqind e mëparshme, ndërsa 74 përqind e të anketuarve mbështesin ndryshimet në qeveri, krahasuar me 47 përqind të regjistruar në vitin 2023. Besimi nuk është i pakushtëzuar. “Presidenti gëzon besimin dhe mbështetjen e ukrainasve në çështjet e mbrojtjes kombëtare dhe, për shumicën, ai duhet të mbetet në detyrë deri në fund të luftës. Megjithatë, ky besim dhe mbështetje nuk janë të pakushtëzuara, por përkundrazi të kufizuara”, t ha drejtori i KIIS, Anton Hrushecki. “Kjo është një kërkesë shumë më e gjerë për ripërtëritjen e elitave dhe dëshira për të parë dikë të ri në parlament, qeveri dhe organe të tjera shtetërore”, shtoi ai. Një tjetër sondazh i kohëve të fundit i KIIS tregoi se 61 përqind e ukrainasve i besojnë Zelensky-t, një nivel që ka mbetur i qëndrueshëm pavarësisht ngjarjeve të fundit që lidhen me skandalin më të madh të korrupsionit të mandatit të tij. Në të njëjtën kohë, një sondazh i majit tregoi se vetëm 28 përqind e të anketuarve duan që Zelensky të mbetet president pas përfundimit të luftës, ndërsa 16 përqind besojnë se ai mund të mbetet në politikë në një pozicion tjetër.
