Kosova i ka qëndruar afër popullit ukrainas e Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, por edhe duke strehuar gazetarë ukrainas që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës, por kjo e fundit nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar, gjersa shprehu edhe mirënjohje ndaj Serbisë. “Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar.
Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë” , ka thënë Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndaj kësaj deklarate të Zelenskyt kanë reaguar si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria, ndërsa njohësit e zhvillimeve në vend thonë se qëndrimi i Ukrainës nuk ka ndryshuar dhe se rasti i saj dhe i Kosovës është i ndryshëm.
Sipas tyre, Serbia shfrytëzon vizitat për t’i kthyer kundër Kosovës, por kjo e fundit nuk duhet të bëjë gabim të përgjigjet njëjtë, por duhet të rreshtohet drejt vendeve evropiane.
Kosova, Ukraina dhe ‘qëllimi i vizitës’ në Serbi Opinionisti Fadil Lepaja, fillimisht për “Bota sot” thotë se Ukraina nuk është se e ka njohur Kosovën, por edhe sipas tij, njohja e saj mund të shkaktojë probleme të caktuara. Fadil Lepaja Sipas tij, krahasimi i rastit të Kosovës me Ukrainën është krejtësisht i paqëndrueshëm.
“Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Fillimisht, njohja nga Ukraina nuk është se na hyn edhe aq në punë, madje mund të na shkaktojë probleme të caktuara me një vend që ende ka veto në KS të OKB.
Kjo çështje është aktualizuar nga politikanë kosovarë për shkak të publicitetit që Ukraina ka në mediat botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe paraqet një përpjekje për të fituar publicitet për çështjen e Kosovës, pa e menduar thellë nëse këto janë të ngjashme. Krahasimi i rastit të Kosovës me Ukrainën është krejtësisht i paqëndrueshëm dhe diletantizëm i politikës sonë.
Përfitimet e kësaj ndërlidhjeje janë gjithsesi të dyshimta dhe analogjia është krejtësisht e paqëndrueshme. Vendosja dhe heqja e “përkrahjes” kosovare, madje edhe në Shqipëri, për lirinë e Ukrainës, po të mos ishte dritëshkurtë dhe tragjikomike, do të shërbente vetëm si humor i zi” , deklaron Lepaja për “Bota sot”.
Sipas tij, vizita e Zelenskyt në Serbi nuk ishte e drejtuar kundër Kosovës, por për të mbuluar arsyet e vërteta të kësaj vizite. Ai konsideron se deklarata e tij nuk është e vetmja që vjen nga një vend apo popull që lufton për lirinë e vet.
“Vizita e Presidentit të Ukrainës në Serbi nuk ishte e drejtuar kundër Kosovës, dhe përmendja e Kosovës duket të ketë qenë vetëm për të prodhuar pluhur mediatik dhe për të mbuluar arsyet e vërteta të kësaj vizite, që mund të jenë tregtia me armë, prodhimi i përbashkët i armatimit dhe, në një perspektivë më të gjerë, edhe mundësia e ndërmjetësimit të Serbisë në armëpushime dhe ndoshta në një paqe të ardhshme mes Rusisë dhe Ukrainës.
Deklarata e presidentit të Ukrainës nuk është e vetmja që na vjen nga një vend apo popull që lufton për lirinë e vet. Ngjashëm kishin deklaruar më herët diplomatët palestinezë në Beograd, të cilët kishin zhgënjyer islamistët tone lokalë, që i përkrahnin palestinezët jo për shkak të së drejtës elementare për liri, por për shkak se ishin myslimanë.
Në fakt, politikanët palestinezë, të ndodhur para një force shumë të madhe dhe diktatit të gjeopolitikës së rajonit, thjesht kishin shikuar interesat e veta duke ju vardisur Serbisë. Edhe pritshmëria jonë se Ukraina do të na njohë vetëm sepse edhe ata luftojnë për liri dhe kundër Rusisë, është naive dhe pozicionim i gabuar i politikës sonë të zhurmshme.
Pavarësisht se çfarë flet politikani i një vendi, çdo popull ka të drejtë të jetë i lirë, të jetojë në paqe e nga puna e vet dhe të organizojë jetën e vet në harmoni me nevojat dhe interesat e veta. Gjeopolitika nuk e lejon këtë njësoj në çdo pjesë t botës dhe me të gjithë popujt” , thekson opinionisti.
Lepaja flet rreth sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, gjersa shprehet se për këtë luftë ka dallime të mëdha edhe mes vendeve perëndimore. “Qëndrimi i Ukrainës për të mos njohur shtetin e Kosovës është i njëjtë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.
Ukraina, për shkak të rrethanave të veta gjeopolitike dhe konfliktit me Rusinë, e sheh respektimin e integritetit territorial si parim themelor të politikës së saj të jashtme.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe aneksimi i disa rajoneve të saj më tepër ngjan me pretendimet serbe për Veriun e Kosovës, ndërkohë që nuk ka asnjë ngjashmëri me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe pushtimit të pjesëve të Ukrainës nga Rusia. Lidhur me këtë luftë ka dallime të mëdha edhe mes vendeve perëndimore. SHBA dhe Evropa kanë dallime esenciale.
Parimi i mosndryshueshmërisë së kufijve, i aplikuar në rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, është parim politik e jo moral që mund dhe duhet të vlejë për tërë botën, aq më tepër kur kemi parasysh kufijtë artificialë që janë vendosur mes popujve në ish-BRSS apo vende të Afrikës dhe Amerikës Latine.
Po të mos ishte aplikuar ky parim në Ballkan, konferenca e paqes do të ishte konferencë për territore e jo për parime dhe paqe”, shprehet Lepaja. Lufta në Ukrainë dhe ndërhyrja e NATO-së në Kosovë, sipas Lepajës, janë krejtësisht të ndryshme.
Ai thekson se perëndimi asnjëherë nuk e ka përkrahur “luftën tonë të drejtë”, por e ka përkrahur popullin e Kosovës në të drejtën e vet për të jetuar i lirë, në paqe dhe për të deklaruar vullnetin e vet politik. “A përbën kjo një qasje me standarde të dyfishta ndaj Kosovës? Jo, kjo s’ka të bëjë aspak me standarde të dyfishta.
Kemi të bëjmë me kontekst krejtësisht tjetër gjeopolitik dhe madje edhe moral. Lufta në Ukrainë dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë janë krejtësisht të ndryshme. Njëra motivohet nga humanizmi, e tjetra nga pushtimi i territoreve të huaja. Pozicionimi ynë lidhur me këtë parim na ka krijuar telashe edhe me disa vende të BE si Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Ne, të mbytur nga folklori politik dhe nevojat banale të politikës sonë lokale, nuk kemi denjuar as të pranojmë arsyet e vërteta të ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë. NATO nuk ka ardhur në Kosovë për të përkrahur luftën tonë të drejtë, por ka ndërhyrë për të evituar një katastrofë humanitare dhe ka krijuar kushtet që kosovarët të deklarohen të lirë për të ardhmen e tyre politike.
Pikërisht në këtë pikë është përqendruar krejt diplomacia dinake serbe, duke u përpjekur të kthej debatin në çështje territoresh apo nëse është e drejtë lufta që prek kufijtë e një vendi sovran.
Perëndimi asnjëherë s’e ka përkrahur “luftën tonë të drejtë”, por e ka përkrahur popullin e Kosovës në të drejtën e vet për të jetuar i lirë, në paqe dhe për të deklaruar vullnetin e vet politik” , shton opinionisti. Në fund, ai thotë se ka deklarata që bëhen për nevoja të brendshme paraelektoriale.
“Çfarë mesazhi i dërgon kjo deklaratë Beogradit dhe sa mund të përdoret nga Serbia për ta forcuar pozicionin e saj kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare? Aspak. Kërkesat nga Serbia që gjithçka të kushtëzojnë me Kosovën tregojnë se sa të dëshpëruara janë pozitat e saj. Prandaj, mendoj se ne nuk ka nevojë të përjetojmë çdo deklaratë për media që bëjnë mysafirët e z. Vuçiç.
Fati i popujve nuk vendoset në konferenca për media. Ato janë deklarata që presidenti serb duhet t’i ketë kërkuar për nevoja të brendshme, paraelektorale. E ngjashme dhe e motivuar njësoj është edhe deklarata e ministres Paunoviç, sikurse edhe ajo gjenocidale e presidentit serb për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.
Ne nuk duhet të bëhemi qesharakë duke ndërruar qëndrimet tona parimore në përkrahje të lirisë së popujve dhe vendeve, vetëm sepse liderët aktualë për nevoja të politikës së ditës japin deklarata kot. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës që nga viti 2008. A duhet Kosova ta kundërshtojë më fuqishëm këtë qasje të Ukrainës?
Kosova duhet të vazhdojë komunikimet me institucionet dhe zyrtarët e Ukrainës, sikurse edhe me vendet e tjera që nuk na kanë njohur ende. Ukraina ka halle të tjera dhe ne nuk jemi pjesë e luftës së atjeshme. Ne duhet të vazhdojmë përpjekjet që edhe me vendet e tjera që nuk na kanë njohur të ndërtojmë marrëdhënie, qoftë edhe kur ato duken të pashpresa.
E ardhmja e Kosovës ndërtohet këtu, jo në Ukrainë, dhe në marrëdhëniet konstruktive mes nesh dhe komuniteteve të tjera në vend, përfshirë edhe komunitetin serb”, përfundon Lepaja. Dallimet Kosovë-Ukrainë dhe si duhet të veprojë Kosova? Edhe analisti Eduard Gashi, thotë se problemi kryesor është se Kosova nuk është Krimeja, Donetsku apo Luhansku.
Eduard Gashi Ai thotë se nuk mund të vendoset shenjë barazimi juridike ndërmjet Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara dhe aneskuara nga Rusia. “Deklarata e Volodymyr Zelenskyt në Beograd është e kuptueshme nga këndvështrimi i interesit të ngushtë shtetëror të Ukrainës, por është shumë më e vështirë të mbrohet si argument konsekuent i së drejtës ndërkombëtare.
Zelensky konfirmoi se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës dhe, duke folur për Serbinë, theksoi respektimin e integritetit territorial dhe të së drejtës ndërkombëtare. Problemi themelor është ky: Kosova nuk është Krimeja, Donetsku apo Luhansku. Barazimi implicit i këtyre rasteve është juridikisht dhe historikisht i mangët.
Kosova doli nga shpërbërja e Jugosllavisë, pas heqjes së autonomisë, represionit sistematik, luftës së viteve 1998–99, ndërhyrjes së NATO-s dhe më pas pothuajse nëntë vjet administrimi ndërkombëtar të OKB-së. Mbi të gjitha, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi më 2010 se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Prandaj nuk mund të vendoset shenjë barazimi juridike ndërmjet Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara dhe aneksuara nga Rusia”, deklaron Gashi për “Bota sot”. Ai thotë se ka më tepër standard të dyfishtë politik sesa kontraditë të pastër juridike. “Këtu lind edhe problemi i standardit të dyfishtë politik.
Ukraina kërkon me të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare që rasti i saj të gjykohet sipas fakteve konkrete, historisë, agresionit të jashtëm dhe normave ndërkombëtare. Por Kosovës praktikisht i mohohet pikërisht kjo individualizim: ajo futet në formulën e përgjithshme të “integritetit territorial të Serbisë”, sikur historia politike dhe juridike e Kosovës të mos kishte ndodhur.
Megjithatë, duhet të jemi të saktë: ky standard i dyfishtë është më shumë politik sesa një kontradiktë e pastër juridike. Mosnjohja e një shteti është vendim sovran i një shteti tjetër. Ukraina nuk është juridikisht e detyruar ta njohë Kosovën.
Por nëse Kievi e arsyeton mosnjohjen duke u mbështetur vazhdimisht te “integriteti territorial” dhe “e drejta ndërkombëtare”, atëherë Kosova ka të drejtë t’i kërkojë Ukrainës të shpjegojë pse precedenti juridik, administrimi i OKB-së dhe opinioni i GJND-së trajtohen sikur të mos ekzistonin”, nënvizon analisti.
Deklaratën e Zelenskyt, Gashi e quan dhuratë diplomatike për Serbinë, gjersa thotë se Beogradi po luan lojë shumë më pragmatike sesa duket. “Fituesi real politik është Beogradi! Për Serbinë, kjo deklaratë është një dhuratë diplomatike.
Beogradi tani mund të thotë: edhe shteti që sot e ndërton gjithë politikën e tij të jashtme mbi mbrojtjen e integritetit territorial mbështet integritetin territorial të Serbisë. Pikërisht këtë narrativë Serbia përpiqet ta ndërtojë ndërkombëtarisht; Ministria e Jashtme serbe vazhdon ta paraqesë pavarësinë e Kosovës si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.
Dhe këtu Beogradi po luan një lojë shumë më pragmatike sesa duket. Serbia nuk e ka bërë kthesën strategjike që Perëndimi kërkon prej saj ndaj Rusisë, por njëkohësisht po ndërton ura me Ukrainën. Vizita solli diskutime për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe një marrëveshje të mundshme të tregtisë së lirë.
Madje Serbia është rreshtuar me disa masa të BE-së kundër njohjes, pushtimit apo aneksimit ilegal nga Rusia të territoreve ukrainase. Pra, Vuçiq po përpiqet të arrijë diçka shumë të vlefshme: të afrohet me Perëndimin dhe Ukrainën pa paguar çmimin e plotë të shkëputjes nga Rusia, ndërkohë që siguron nga Kievi mbështetje për pozicionin serb ndaj Kosovës.
Kjo është diplomaci transaksionale dhe, nga perspektiva serbe, mjaft efektive”, thekson Gashi. Sipas Gashit, Kosova nuk duhet të bëjë gabim emocional, por duhet të mbetet qartësisht në kampin euroatlantik dhe kundër agresionit rus. “Gabimi që Kosova nuk duhet ta bëjë!
Përgjigjja e Kosovës nuk duhet të jetë: “Atëherë as ne nuk e mbështesim Ukrainën.” Kjo do të ishte emocionalisht e kuptueshme, por strategjikisht gabim. Kosova duhet të mbetet qartësisht në kampin euroatlantik dhe kundër agresionit rus. NATO vazhdon ta konsiderojë mbrojtjen e Ukrainës si ushtrim të së drejtës së saj për vetëmbrojtje dhe e mbështet sovranitetin e saj.
Pikërisht këtu qëndron argumenti më i fuqishëm kosovar: Ne e mbështesim integritetin territorial të Ukrainës jo sepse Ukraina na njeh, por sepse agresioni rus është i gabuar. Por pikërisht të njëjtin respekt ndaj fakteve dhe së drejtës ndërkombëtare e kërkojmë kur Ukraina flet për Kosovën. Kjo e vendos Kosovën moralisht dhe diplomatikisht në pozitë shumë më të fortë.
Prandaj Prishtina duhet ta kundërshtojë Kievin më fuqishëm, por jo më armiqësisht. Duhet një ofensivë diplomatike: kontakt i drejtpërdrejtë me Presidencën dhe MPJ-në ukrainase, prezantim juridik i rastit të Kosovës, koordinim me Shqipërinë dhe aleatët kryesorë perëndimorë dhe kërkesë që Ukraina së paku të mos përdorë formulime që e paraqesin Kosovën thjesht si çështje të integritetit territorial serb.
Shqipëria tashmë reagoi duke ritheksuar sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës pas deklaratave të Zelenskyt. Objektivi afatshkurtër nuk duhet të jetë domosdoshmërisht: “Ukraina duhet ta njohë Kosovën nesër.” Objektivi realist duhet të jetë: ta nxjerrim Ukrainën nga pozicioni aktiv pro narrativës serbe drejt neutralitetit konstruktiv, dhe pastaj, kur kushtet politike ta lejojnë, drejt njohjes”, shton Gashi.
Në fund, sipas Gashit, nuk është problem që Ukraina nuk e njeh Kosovën, por që Serbia po përpiqet ta përdorë Ukrainën për ta legjitimuar ndërkombëtarisht tezën se Kosova është analogji me territoret separatiste të Ukrainës “Kosova nuk duhet të reagojë me inat ndaj Ukrainës; duhet të reagojë me shtetësi. Sepse problemi më serioz nuk është vetëm që Ukraina nuk e njeh Kosovën.
Problemi është që Serbia po përpiqet ta përdorë Ukrainën për ta legjitimuar ndërkombëtarisht tezën se Kosova është analogji me territoret separatiste të Ukrainës. Kjo analogji duhet thyer në mënyrë sistematike. Mesazhi i Prishtinës duhet të jetë i thjeshtë: Kosova nuk kërkon standard të veçantë.
Kërkon që historia, faktet dhe e drejta ndërkombëtare të zbatohen me të njëjtën seriozitet për Kosovën me të cilën Ukraina kërkon që ato të zbatohen për vetveten. Sovraniteti nuk mund të mbrohet me parime universale në Kyiv dhe me interpretime selektive në Beograd.
Dhe mbi të gjitha, Kosova duhet ta kuptojë sinjalin strategjik: Serbia po përpiqet të afrohet gradualisht me Perëndimin pa hequr dorë nga Rusia dhe duke e mbajtur Kosovën si interes kombëtar konstant. Prishtina nuk mund t’ia lejojë vetes të bëjë të kundërtën — të izolohet nga BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja për shkak të betejave të brendshme politike.
Nëse Beogradi zvogëlon distancën me Perëndimin ndërsa Prishtina e rrit atë, raporti diplomatik mund të ndryshojë në dëm të Kosovës edhe pa ndryshuar asnjë kufi në hartë” , përfundon Gashi për “Bota sot”.
