Ka ndërruar jetë Qamil Bytyqi, ish-kryetar i KF Ferizajt dhe veprimtar i shquar i futbollit në kohërat më të vështira. Për këtë humbje, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dërguar një telegram ngushëllimi.
Në telegramin e nënshkruar nga presidenti Agim Ademi, FFK shprehet: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Qamil Bytyqi, andaj në emrin tim personal dhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.”
Shtëpia e futbollit kosovar ka kujtuar me respekt kontributin e tij historik në kohën e rezistencës: “Qamil Bytyqi do të kujtohet si një figurë e përkushtuar e sportit në Ferizaj dhe në futbollin kosovar në përgjithësi… ai ishte pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për ruajtjen dhe zhvillimin e futbollit kosovar në vitet e okupimit, duke lënë pas gjurmë të respektuara në historinë e klubit dhe të sportit në qytetin e Ferizajt.”
Përveç sportit, FFK vlerësoi edhe angazhimin e tij në kulturë si pjesë e Ansamblit “Kastriotët”: “Në këto momente dhimbjeje, jemi pranë jush dhe ndajmë pikëllimin për humbjen e një njeriu me vlera të veçanta njerëzore dhe shoqërore. Emri dhe vepra e Qamil Bytyqit do të mbeten të respektuara dhe të kujtuara me mirënjohje… I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”
Me ndarjen nga jeta të Qamil Bytyqit, futbolli dhe kultura në Ferizaj humbën një shtyllë të rëndësishme të rezistencës dhe zhvillimit. Trashëgimia e tij në krye të KF Ferizajt dhe kontributi në vitet më të vështira të okupimit do të mbeten të shkruara dhe të kujtuara në historinë e sportit kosovar.
