Pas një pushimi të shkurtër ka rinisur procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme. Gjatë seancës, avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka kundërshtuar pretendimet e SPAK, duke deklaruar se akuza ndaj Metës bazohet në supozime.
Cakrani solli në vëmendje një intervistë të ish-ambasadorit amerikan Donald Lu për gazetën “Mapo”, ku sipas tij Meta është cilësuar si partner i Shteteve të Bashkuara dhe një zyrtar që udhëtonte shpesh drejt SHBA-së. Gjyqi i themelit po ndiqet nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Avokati Cakrani: Në intervistën që ka pasur gazeta Mapo me ambasadorin Donald Lu, ai është përgjigjur: “Ilir Meta është kryetar i Parlamentit shqiptar dhe ai është gjithashtu partner i SHBA. Ne do të vijojmë të kemi partneritet të fortë, ai udhëton shpesh në SHBA…”.
E sjell këtë episod për të kujtuar se në akuzën e SPAK pretendohet se vizitat e Metës kanë qenë të diktuara nga lobimet, por ambasadori i kohës thotë që Meta ishte mik i SHBA dhe udhëtonte shpesh. Akuza bazohet mbi supozime. Po diskutojmë disa muaj pasi Meta ishte bërë kryetar i Kuvendit.
Ligji u propozua nga PS-ja, ndërsa LSI nuk ka pasur asnjë mundësi, për shkak të numrave, që të përcaktonte miratimin e tij. Për vilën, u hoq dorë para se të kalonte ligji që ka shkuar në Kuvend dhe këtë ligj e ka mbrojtur kryeministri Rama, i cili me shumë patos ndau dy epoka të rëndësishme të minatorëve për servitutin. Ku hyn zoti Meta në gjithë këtë histori?
SPAK nuk pyeti as Ramën, as Ruçin, as zotin Balla që të vinin e të na thoshin: “A i ka takuar Meta për këtë ligj?”. Ndaj do t’i kërkoj që të vijnë e të dëshmojnë si dëshmitarë. Dua apo s’dua, këta më dalin si dëshmitarë që duhen pyetur. Duhet të pyeten Esmeralda Shkjau, Eduart Shalsi, Namik Kopliku, deputet i qarkut Shkodër, i cili nuk është pyetur, si edhe kryesekretarja e Kuvendit.
Këto janë veprime hetimore që SPAK duhet t’i kishte kryer. Dëshmitari tjetër që kërkojmë të thirret është Edi Rama. Duam të provojmë nëse ndoshta ka biseduar dhe ne nuk dimë gjë. Ligji i minierave është amenduar në këtë periudhë dhe duam të na thotë çfarë ka ndodhur me këtë ligj. Kërkojmë zotin Gramoz Ruçi si dëshmitar, që të kristalizohet kjo çështje dhe të merren disa mesazhe aty-këtu.
Po mbajmë në burg ish-presidentin. Të thirren edhe deputetë të tjerë, si kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, që të tregojë nëse ka folur me Monikën. Nuk dua të abuzoj dhe të them se duhet të vijnë të gjithë deputetët që kanë votuar ligjin. Nuk po them që të vijnë të gjithë ata që kanë ngritur dorën. Kërkojmë gjithashtu që të vijë si dëshmitar edhe Taulant Balla.
