Policia Financiare: Kallëzime penale ndaj inxhinierëve mbikëqyrës dhe kompanive, kanë përfituar mbi 50 milionë denarë në mënyrë të paligjshme

0%

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër pesë personave fizikë: B.G. dhe G.F. në cilësinë e inxhinierëve mbikëqyrës, si dhe E.N., M.G. dhe N.M., pronarë dhe drejtues të dy personave juridikë, si dhe kundër vetë personave juridikë, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 të Kodit Penal të RMV-së, “Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë” sipas nenit 280, “Mashtrim në dëm të mjeteve të Bashkimit Evropian – në tentativë” sipas nenit 249-a dhe “Përdorim i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë” sipas nenit 380 të Kodit Penal.

Personat e kallëzuar, në cilësinë e inxhinierëve mbikëqyrës, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, kanë kryer kontroll teknik të objekteve dhe kanë përpiluar raporte përfundimtare me përmbajtje të pavërtetë, në kundërshtim me nenin 33 dhe nenin 90 paragrafi 3 të Ligjit për Ndërtim.

Në këtë mënyrë, u kanë mundësuar personave juridikë që objektet e papërfunduara t’i regjistrojnë në Agjencinë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme dhe të përfitojnë dobi pasurore kundërligjore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pronarët dhe drejtuesit e personave juridikë, edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se objektet nuk ishin të përfunduara dhe nuk i plotësonin kushtet ligjore për vënie në përdorim, i kanë përdorur raportet përfundimtare me përmbajtje të pavërtetë si bazë për regjistrimin e objekteve në librat publikë të Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme.

Qëllimi ka qenë të krijohet përshtypja e rreme se janë përmbushur kushtet për përdorim dhe të mundësohet pagesa e mbështetjes financiare të miratuar nga Programi për Zhvillim Rural në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit të Bashkimit Evropian (IPA 3 – IPARD 2021–2027), duke tentuar të përfitojnë kundërligjshëm gjithsej 50.141.528 denarë.

Burimi: Telegrafi