Atdhe i shqiptarëve, pasardhësve të ilirëve, pellazgëve dhe dardanëve, njëri ndër popujt më të lashtë të Evropës. Shqipëri e dashur! Atdhe i Gjergj Kastriotit, i Bajram Currit, i shumë heronjve dhe shkrimtarëve, djepi i kulturës së Evropës, si Shkodra dhe Butrinti dhe shumë vende të tjera, të cilat Evropës i kanë dhuruar shumë vepra.
Shqipëri, perlë e Ballkanit, mbi të cilën fluturojnë shqiponjat, duke i lajmëruar popujt se këtu jetojnë shqiptarët, një popull i lashtë, shumë paqedashës, i cili asnjëherë në histori nuk i ka lakmuar tokat e të tjerëve.
Si është e mundur që një vend me pasuri përrallore turistike dhe resurse të shumta natyrore, si krom dhe bakër, rezerva të pallogaritshme të arit të zi, çelik e ar dhe shumë xehe dhe minerale të tjera, në këtë vend të jetojë njëri ndër popujt më të varfër të Evropës?
Në ta di e gjithë bota, jo vetëm rajoni dhe Evropa: Shqipëria asnjëherë s’ka qenë e varfër, por gjithmonë e vjedhur nga qeveritë e veta.
Nuk mund të mos e pohoj, as për hir të Edi Ramës, as për hir të cilitdo politikan tjetër, se sot protestat e të rinjve të shqiptarëve të diasporës janë duke u mbajtur kundër hajnisë, korrupsionit dhe varfërimit të Shqipërisë nga një keqqeverisje, e cila është duke e shpopulluar pa mëshirë Shqipërinë, në të cilën jetojnë mirë oligarkët, ata të politikës, ndërsa të varfrit vuajnë si skllevërit në Mesjetë në vendbanimet rurale, pa pasur as kulm mbi kokë.
