Presidenti i klubit të futbollit Ferizaj, Lulzim Abazi, është i pikëlluar me ikjen në amshim të Qamil Bytyçit. Abazi tha se kontributi i tij ka qenë i madh në fushën e futbollit. “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të FC Ferizaj, Qamil Bytyçi.
Në emrin tim personal dhe të FC Ferizaj, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bytyçi, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të. Qamil Bytyçi do të kujtohet gjithmonë si një nga figurat më të përkushtuara të sportit ferizajas.
Si ish-kryetar i klubit tonë, ai dha kontribut të çmuar në zhvillimin dhe ruajtjen e traditës së KF Ferizaj, duke qëndruar pranë klubit edhe në periudhat më sfiduese të tij. Me vizionin, angazhimin dhe dashurinë e tij për futbollin, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit dhe në jetën sportive të qytetit tonë.
Përveç kontributit në sport, ai ishte një personalitet i respektuar dhe i vlerësuar nga komuniteti ferizajas. Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen me familjen Bytyçi dhe shprehim mirënjohjen tonë për gjithçka që Qamil Bytyçi dha për KF Ferizaj dhe sportin në përgjithësi. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë së klubit tonë.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, shpreh ngushëllime Lulzim Abazi, president i FC Ferizaj.