Njohësi i çështjeve të sigurisë Dorajt Imeri komentoi vizitën e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Beograd dhe takimin e tij me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. “Volodymyr Zelensky, sapo ke përqafuar hijen e Putinit në Ballkan: Aleksandar Vuçiç. Duhet ta them këtë: rrezikon të zhgënjehesh thellësisht nga kjo përpjekje për të gjetur miq të rinj në luftën tënde.
Serbia nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër vendit tënd”, shkroi në X, Imeri. Më herët gjatë ditës, mediat raportuan se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. “Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë” , tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e shpallur më 2008, Kosova i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Prishtina po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Ndërkaq, Vuçiq tha se me udhëheqësin ukrainas, shteti i të cilit po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ka biseduar për bashkëpunimin ushtarak. “Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta, kjo është çështje tjetër”, tha Vuçiq, i cili e mirëpriti Zelenskyn në vizitën e parë zyrtare në Serbi.
Vuçiq njoftoi se në Serbi, në mesin e shtatorit, do të hapet një fabrikë dronësh, por në bashkëpunim me izraelitët. “Ukrainasit janë shumë të suksesshëm dhe kanë shumë fabrika të tyre të dronëve” , shtoi ai.
Zelensky vizitoi Serbinë, shtet që është një nga të paktat në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës, raporton Radio Evropa e lirë. “Ne duam paqe dinjitoze”, deklaroi Zelensky, duke theksuar se duhet shfrytëzuar çdo mundësi për arritjen e paqes
