Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paraqiti një varg akuzash ndaj njërit nga drejtuesit e partisë tjetër shqiptare në Maqedoni të Veriut VLEN-it, Izet Mexhiti. “Çfarë e detyron Izet Mexhitin të thotë: mjaft më me flamur, mjaft më me gjuhë, mjaft më me përfaqësim? Çfarë e ka kapur kaq fort Izet Mexhitin?
Ky është njeriu që ka tradhtuar dorën që e ka ushqyer dhe dorën që e ka ngritur politikisht. Ka tradhtuar një nga një bashkëpunëtorët e tij më të afërt, njerëzit që kanë punuar me të, që i kanë besuar dhe që kanë qëndruar pranë tij. Sot po tradhton edhe interesin kombëtar të shqiptarëve. Prandaj, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin: çfarë e mban peng Izet Mexhitin?”.
Më tej BDI, e drejtuar nga Ali Ahmeti vargon pyetjet: A janë dosjet e shumta për të cilat prej vitesh flitet se qëndrojnë në sirtarët e prokurorisë? A është diçka tjetër? Çfarë është ajo që e detyron të pranojë në heshtje çdo goditje ndaj gjuhës shqipe, flamurit, përfaqësimit dhe pozitës së shqiptarëve, e pastaj t’u thotë shqiptarëve se duhet të heshtin edhe ata? “Kjo duhet të sqarohet.
Sepse kapja eventuale e një politikani është problem i atij politikani. Por kur për shkak të kapjes së një personi mbahet peng përfaqësimi politik dhe fati i një populli të tërë, atëherë kemi një problem shumë më të madh. Fati i shqiptarëve nuk mund të mbahet peng nga frika, dosjet apo interesat personale të Izet Mexhitit”, thuhet në reagimin e BDI-së.
