Armatim i fshehur në valixhe, dyshohet se po dërgohej drejt Gjermanisë – tre persona në arrati

0%

Një rast i rëndë që lidhet me armë dhe municion është zbuluar nga organet e rendit në Podujevë, ku janë sekuestruar disa armë të gjata, pistoleta dhe një sasi e konsiderueshme municioni, ndërsa tre persona po kërkohen nga autoritetet.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka dalë në dritë pas informacioneve operative të siguruara nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda (DHKOKR), sipas të cilave në një agjenci turistike ndodheshin dy valixhe të dyshimta. Pas verifikimeve të kryera në depon e agjencisë, hetuesit kanë konstatuar se brenda valixheve ishte fshehur armatim.

Më pas, me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, janë zhvilluar veprime të shpejta hetimore dhe bastisje në lokacione të ndryshme. Sipas burimeve, si të dyshuar janë identifikuar L.M., rreth 26-vjeçar, R.K. rreth 28 vjeçar dhe A.M. rreth 29 vjeçar, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në organizimin dhe transportimin e armatimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, ata nuk janë hasur në shtëpitë e tyre gjatë operacionit policor dhe aktualisht ndodhen në arrati. Ndërkohë, pronari dhe menaxheri i agjencisë turistike janë shoqëruar në zyrat e DHKOKR-së në cilësinë e dëshmitarëve dhe janë intervistuar lidhur me rastin.

Sipas informacioneve të siguruara nga hetimet, ekziston dyshimi se destinacioni përfundimtar i armatimit ishte Gjermania, përkatësisht qyteti i Shtutgartit. Hetuesit dyshojnë se njëri nga të dyshuarit kishte rol të veçantë në pritjen dhe pranimin e valixheve me armë sapo ato të arrinin në Gjermani.

Gjatë kontrollit të valixheve janë sekuestruar: 5 armë të gjata të llojeve të ndryshme, përfshirë disa AK-47; 2 pistoleta të markës Glock me 18 fishekë të kalibrit 9 mm; 8 karikatorë për armë të gjata AK-47; 20 fishekë për pushkë gjuetie; 106 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm.

Lidhur me rastin është iniciuar procedurë penale për veprën “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë Speciale. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com