​Hapet edicioni i 26-të i Panairit të Librit, bëhet thirrje për më shumë lexues në vend

0%

Ka nisur sot edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, i cili do të jetë i hapur për 5 ditë, në Pallatin e Rinisë. Në ceremoninë hapëse u theksua rëndësia e leximit, raporton KosovaPress. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu tha se vendosja e librit në hapësira publike, qoftë edhe për disa ditë, tregon se ai vend ende e njeh peshën e fjalës së shkruar, por sipas saj, kjo nuk i liron nga përgjegjësia për ta parë gjendjen me kujdes dhe të flitet edhe për vendin që libri s’po e zë në jetën e përditshme. Haxhiu: Leximi, një nga mënyrat e para që njeriu mëson ta kuptojë botën përtej vetes “Leximi është një nga mënyrat e para që njeriu mëson të kuptojë botën përtej vetes. Një fëmijë që lexon me vëmendje, mëson ta ndjek mendimin deri në fund dhe ta dalloj idenë kryesore. Mëson të bëjë pyetje, të krahasoj, të mos ngutet në përfundim, mëson se jo çdo fjali që tingëllon e sigurt është e vërtetë. Një qytetar që lexon e kupton më mirë lajmin, e kupton më mirë ligjin, premtimin politik, kontratën, historinë, dokumentin zyrtar dhe të drejtën e vet. Ai apo ajo ka më shumë mundësi të mendoj me kokën e vet, të kuptojë atë që i thuhet dhe të mos mbetet i varur nga të tjerët. Edhe në Kosovë, sikurse në shumë vende të botës, leximi po përballet me rënie të vëmendjes, me ndryshim të shprehive, me trysninë e ekranit dhe me një ritëm jete që lë gjithnjë e më pak hapësirë për librin. Por, fakti që kjo po ndodh edhe diku tjetër, nuk e bën më pak të rëndësishme për ne, përkundrazi, na tregon që duhet të veprojmë me kohë por edhe me maturi, jo duke e fajësuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar se leximi kërkon përgjegjësi të përbashkët por edhe punë të koordinuar”, tha Haxhiu. Tutje, Haxhiu u shpreh se një Republikë që kujdeset për leximin, kujdeset për lirinë e qytetarit, e sipas saj, hapja e këtij panairi nuk duhet të mbetet vetëm te urimi për botuesit dhe lexuesit, por lë të jetë një thirrje për punë të përbashkët, të qartë dhe të vazhdueshme. Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh se një popull që lexon, ndërton institucione më të forta, shtete më stabile e shoqëri më të drejta, teksa sipas tij, populli që lexon, e kupton se demokracia nuk mbrohet vetëm me ligje, por më vetëdije. Rama: Një popull që lexon, e mbron historinë e tij dhe s’lejon që ajo të shtrembërohet nga të tjerët “Një popull që lexon e mbron historinë e tij sepse e njeh historinë e tij, nuk lejon që ajo të shtrembërohet, të harrohet apo të shkruhet nga të tjerët. Ai e kupton se identiteti dhe kujtesa e përbashkët janë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja. Mbi të gjitha, një popull që lexon e zhvillon sensin e progresit dhe zhvillimit. Ai nuk ka frikë nga idetë e reja dhe nuk e sheh dijen si privilegj, por si të drejtë dhe përgjegjësi. Prandaj, çdo libër i blerë sot, nuk është vetëm investim për një individ, por një investim për një shoqëri më të lirë, më të arsimuar dhe më të fortë. Çdo fëmijë që krijon dashurinë për librin sot, nesër është një qytetar më i ndërgjegjshëm, sepse kombet nuk janë të mëdha nga pasuritë materiale që kanë, por nga mendjet që formojnë ”, tha Rama. E, përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve së Kosovës, Edon Zeneli, në fjalën e tij tha se libri e hap botën, por sipas tij, për ta hapur botën së pari duhet të hapet mendja, e duhet kultivuar një mendje të hapur. Zeneli: Libri mbetet ftesa kryesore për t’u kthyer te mendja që mendon, rrezonon e krijon “Breza të tërë njerëzisht kanë ruajtur, përcjell e pasuruar përvojat, emocionet, historitë e tyre përmes një forme shumë të veçantë, librit. Libri nuk është thjeshtë një grumbull faqesh të shtypura, por është porta drejt botëve të panumërta. Udhëtimi përtej kohës e hapësirës, mundësia për të mësuar, reflektuar e për të komunikuar me mendjet më të ndritura që ka njohur njerëzimit, qoftë përmes letërsisë si forma më kreative e shprehjes njerëzore, qoftë përmes veprave studimore e diskursive, libri mbetet mjeti më i fuqishëm i informimit të njeriut. Po aq të rëndësishëm janë librat për fëmijë, sidomos ata që nxisin kureshtjen, imagjinatën e krijimtarinë. Në këtë kohë kur ekranet po e marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e brezave të rinj, libri mbetet ftesa kryesore për t’u kthyer te mendja që mendon, rrezonon e krijon”, tha Zeneli. Edhe këtë edicion, sikurse në edicionet e kaluara, Panairi i Librit po mbahet mbi platonë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Burimi: Bota Sot