Kroacia ka siguruar fitoren e parë në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Panamanë me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e Grupit L, të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm sipas kohës sonë në Toronto. Kjo fitore e rëndësishme i mban kroatët në garë për një vend në fazën eliminatore, ndërsa Panamaja është eliminuar nga turneu.
Golin vendimtar e realizoi Ante Budimir në minutën e 54-t, vetëm pak minuta pasi ishte inkuadruar nga banka rezervë. Sulmuesi kroat përfitoi nga një asistim i Josip Stanishiqit dhe dërgoi topin në rrjetë për t’i siguruar ekipit të Zlatko Daliqit tri pikë jetike.
Panamaja rezistoi gjatë dhe krijoi disa raste të mira për barazim në pjesën e dytë, por portieri Dominik Livakoviq u tregua vendimtar me disa pritje të rëndësishme, duke ruajtur avantazhin e ekipit të tij deri në fund.
Ndeshja kishte rëndësi të veçantë edhe për kapitenin Luka Modriq, i cili regjistroi paraqitjen e 200-të me fanellën e Kroacisë, duke u bërë një nga futbollistët më të spikatur në historinë e kombëtares kroate. Pas ndeshjes, trajneri Zlatko Daliq pranoi se skuadra e tij kishte ndier presionin e rezultatit. “ Ishte një ndeshje shumë e vështirë.
Ndoshta presioni për të fituar ndikoi te ne, por më e rëndësishmja është që morëm tri pikët”, tha Daliq. Pas dy xhirove, Anglia dhe Gana kryesojnë Grupin L me nga katër pikë, ndërsa Kroacia ka tri pikë dhe mbetet në garë për kualifikim. Në ndeshjen e fundit të grupit, Kroacia do të përballet me Ganën në një duel vendimtar, ndërsa Anglia do të luajë kundër Panamasë.
