Kolumbia ka siguruar kualifikimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Kongon me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e Grupit K, të zhvilluar në orët e mëngjesit, sipas kohës sonë, në Guadalajara të Meksikës. Heroi i takimit ishte Daniel Muñoz, i cili realizoi golin e vetëm në minutën e 76-të.
Mbrojtësi i Crystal Palace përfitoi nga një devijim i topit në zonë dhe me një goditje të saktë me të majtën mposhti portierin Lionel Mpasi, i cili deri në atë moment kishte qenë protagonisti kryesor i Kongos me disa pritje vendimtare. Kolumbianët dominuan pjesën më të madhe të ndeshjes dhe krijuan raste të shumta shënimi, por u ndalën vazhdimisht nga Mpasi.
Edhe sulmuesi Luis Díaz pati dy gola të anuluar në fund të takimit, një për faull dhe një tjetër për pozitë jashtë loje. Kongo ishte pranë barazimit në minutat shtesë, por portieri Camilo Vargas shpëtoi ekipin e tij me dy pritje spektakolare, fillimisht ndaj Nathanael Mbuku dhe më pas ndaj një goditjeje me kokë të Chancel Mbembas.
“ Luajtëm me intensitet dhe agresivitet dhe i qëndruam besnikë stilit tonë. Kjo fitore na jep besim për vazhdimin e garës ”, deklaroi pas ndeshjes Muñoz, i cili u shpall lojtari më i mirë i takimit. Me këtë fitore, Kolumbia kryeson Grupin K me gjashtë pikë nga dy ndeshje, dy më shumë se Portugalia, e cila më herët gjatë ditës mposhti Uzbekistanin 5:0 falë dy golave të Cristiano Ronaldos.
Kongo mbetet në kuotën e një pike. Në xhiron e fundit të grupit, Kolumbia do të përballet me Portugalinë, ndërsa Kongo me Uzbekistanin. Një barazim ndaj portugezëve do t’i mjaftonte Kolumbisë për ta mbyllur grupin në vendin e parë.
