Duket si brirë, por shfaqet në lëkurë: Kjo rritje mund të jetë shenjë

0%

Shpesh është beninje, por në disa raste mund të jetë shenjë e një problemi serioz të lëkurës Briri i lëkurës është një lloj lezioni ose rritjeje që shfaqet në sipërfaqen e lëkurës. Ai përbëhet nga keratina, një proteinë që formon shtresën e jashtme të lëkurës. Rritja mund të duket si një kon, majë e mprehtë ose brir dhe mund të ndryshojë shumë në madhësi.

Emri vjen nga ngjashmëria që kjo rritje mund të ketë me bririn e një kafshe. Kjo gjendje shfaqet më shpesh te të rriturit e moshës së madhe dhe mund të prekë si burrat, ashtu edhe gratë. Shumë brirë të lëkurës janë beninjë, pra jo kancerogjenë, por disa mund të jenë parakancerogjenë ose kancerogjenë . Si duket briri i lëkurës?

Shenja më e zakonshme është shfaqja e një rritjeje në sipërfaqen e lëkurës. Ajo mund të duket si një gungë e madhe, kon, majë ose brir. Rritja mund të ketë të njëjtën ngjyrë me lëkurën ose një ngjyrë tjetër, si, e bardhë, rozë, e verdhë, bezhë, kafe. Shumica e këtyre rritjeve janë të harkuara dhe harkimi mund të bëhet më i theksuar ndërsa ato rriten.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Brirët e lëkurës mund të shfaqen në pjesë të ndryshme të trupit, por më shpesh vërehen në fytyrë, duar, veshë, kokë, kraharor, parakrahë dhe pjesën e sipërme të krahëve. Pjesët e trupit që ekspozohen më shumë ndaj diellit kanë më shumë gjasa të zhvillojnë këto rritje, transmeton Telegrafi. Çfarë i shkakton? Shkaku i saktë i bririt të lëkurës shpesh nuk dihet.

Ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet të diellit mund të jetë një nga faktorët. Një tjetër shkak i mundshëm është prania e lythave të shkaktuara nga virusi i papillomës njerëzore (HPV). Vlerësohet se rreth gjysma e brirëve të lëkurës shfaqen mbi një kancer të lëkurës ose një lezion parakancerogjen .

Të tjerë mund të lidhen me shenja të djegieve ose me gjendje të tjera jo kancerogjene të lëkurës. Të rriturit e moshës së madhe, veçanërisht ata ndërmjet 60 dhe 70 vjeç, kanë rrezik më të lartë. Si burrat, ashtu edhe gratë mund t’i zhvillojnë këto rritje, ndërsa te burrat është vërejtur një mundësi më e madhe që lezioni të jetë kancerogjen.

Personat me lëkurë të çelët gjithashtu kanë rrezik më të lartë. Brirët e lëkurës nuk janë ngjitës dhe nuk mund të transmetohen nga një person te tjetri. Kur duhet të shkoni te mjeku? Dhimbja dhe inflamacioni mund të shfaqen nëse rritja dëmtohet. Meqë briri i lëkurës mund të jetë shenjë e kancerit, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun kur shfaqet një rritje e re.

Kërkoni këshillën e mjekut veçanërisht nëse vëreni: një rritje të re në lëkurë; dhimbje ose inflamacion; skuqje ose gjakderdhje; rritje të shpejtë; lëkurë të fortë ose të trashur në bazën e rritjes. Si diagnostikohet? Për të diagnostikuar një brir të lëkurës, mjeku merr historinë mjekësore dhe kryen një ekzaminim fizik.

Pamja e rritjes shpesh është e mjaftueshme për të dyshuar për këtë gjendje. Megjithatë, mjeku mund të kryejë edhe biopsi . Zakonisht hiqet e gjithë rritja dhe dërgohet në laborator për t’u ekzaminuar në mikroskop. Kjo ndihmon për të përcaktuar natyrën e saj dhe nëse ka prani të kancerit të lëkurës. Si trajtohet? Trajtimi më i zakonshëm është heqja e rritjes.

Metoda varet edhe nga fakti nëse ajo është kancerogjene apo jo. Për rritjet beninje mund të përdoren: heqja kirurgjikale; ngrirja me azot të lëngshëm; kruajtja dhe kauterizimi i lezionit. Nëse rritja është kancerogjene, trajtimi mund të përfshijë: heqje kirurgjikale; kruajtje dhe kauterizim; radioterapi; kimioterapi; barna lokale në formën e kremrave që stimulojnë sistemin imunitar.

Pas heqjes mund të mbetet një shenjë, ndërsa madhësia e saj varet edhe nga madhësia e rritjes. Në disa raste, briri i lëkurës mund të shfaqet përsëri pas heqjes. A mund të parandalohet? Nuk ka masa që garantojnë parandalimin e bririt të lëkurës.

Megjithatë, shmangia e ekspozimit të panevojshëm në diell dhe përdorimi i kremit kundër diellit me faktor të lartë mbrojtës (SPF) mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të dëmtimit të lëkurës. /Telegrafi

Burimi: Telegrafi