Revolucioni Flamingo dhe Republika e Tretë, një shans i ri për ndërgjegjësim gjithëkombëtar

0%

Nga: Fadil Maloku Shpërndaje në: Lexuesi kureshtar, jam shumë i bindur që nga titulli i shkrimit do të pyesë menjëherë: A thua cilat janë këto dy paradigma dhe a janë ato komplementare apo konkurruese njëra me tjetrën? Për ta shuar menjëherë këtë kureshtje, dorën në zemër, ende e kam të paqartë edhe unë!

Për “Republikën e Tretë” kam shkruar tre-katër artikuj, e po ashtu edhe për protestat në Shqipëri. Mirëpo, pasi tani dolën në shesh “pesë kërkesat” e protestuesve në tubimin e zhvilluar para Kryeministrisë, kureshtja se kah po shkojnë këto protesta po rritet me “shpejtësi drite”.

Për një sociolog me përvojë, kërkesat e publikuara për herë të parë pas tri javësh protestimi, me siguri i japin mundësinë e interpretimit dhe analizës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Themi kështu, ngase kërkesat që tashmë po parashtrohen, në një mënyrë, e kanë tejkaluar fazën e protestës tematike (mjedisi, trashëgimia kulturore, investimet strategjike) dhe gradualisht po marrin tiparet e një lëvizjeje qytetare me ambicie për ndërgjegjësim dhe transformim institucional e kushtetues të Shqipërisë.

Shikuar nga kjo perspektivë, kemi përshtypjen se përmes këtyre kërkesave mund të “lexojmë” edhe ca supozime interesante sociologjike për publikun gjithshqiptar. E para, këto protesta, ngadalë por sigurt, sa po i shoh unë, po shndërrohen nga një lëvizje tipike qytetare në një lëvizje tipike konstituive. Çka nënkupton kjo?

Duke iu referuar historikut të fillimit të protestës (), që nisi si një reagim spontan ndaj ca veprimeve mjedisore qeveritare, për të pasuar tani në ridizajnimin apo ndryshimin thelbësor të shumë rregullave dhe normave të sistemit aktual politik, kuptojmë se ambiciet dhe synimet e tyre po fitojnë atribute të reja normative brenda rregullave dhe vlerave demokratike.

E dyta, kërkesa për një qeveri teknike nuk është vetëm shprehje e krizës së besimit ndaj qeveritarëve dhe opozitarëve, të cilët me vendimmarrjet e tyre i kanë shkaktuar dëme të dukshme interesave kombëtare dhe atyre shtetërore shqiptare.

Pra, kërkesën për një qeveri teknike duhet parë vetëm si një fazë kalimtare drejt një “kontrate të re sociale” me qytetarinë e pjekur dhe tashmë edhe të emancipuar shqiptare. Në fakt, kjo kërkesë po na tregon qartë se rotacioni politik i një kaste me fytyra të njëjta politikanësh nuk do të tolerohet më.

Dhe, se në vend të kritereve poltroniste e patronazhiste, në “kontratën e re…” duhet të instalohen standardet dhe kriteret e meritokracisë, sundimit të ligjit, përgjegjësisë publike, llogaridhënies dhe transparencës, ashtu siç i ka gjithë bota qytetëruese.

E treta, kërkesa më atraktive duket të jetë ajo për “referendumin”, që në fakt dëshmon një shkallë shumë të lartë të mosbesimit, jo aq ndaj institucionit të Kuvendit, sa ndaj “parlamentarëve”, të cilët nuk i përcakton vota popullore, por kasta e sekserëve dhe patronazhistëve besnikë qeveritar e opozitar .

E katërta, përdorimi i termit “kontratë e re sociale” është mjaft domethënës, si kriter, po ashtu edhe si standard e cilësi e re demokratike.

Nëse e “përkthejmë” dhe e interpretojmë me gjuhën dhe termat sociologjikë, kjo i bie se “kontrata e vjetër sociale”, apo ish-marrëveshja e lidhur midis shtetit dhe qytetarëve që u instalua në vitet e 90-ta, e ka humbur tashmë legjitimitetin e saj politik dhe moral.

E pesta, theksimi dhe adresimi i kërkesës ku përdoret pa ekuivok fjala “sovrani” në mesin e katër të tjerave që i adresuan organizatorët, e të cilat në emër të tyre i lexoi ish-luftëtari i UÇK-s, Dritan Goxhaj, është po ashtu një mesazh i fortë politik për ish-establishmentin politik shqiptar.

Futja e këtij termi, pa asnjë dyshim është një “paralajmërim i hershëm” për “shkurorëzimin” definitiv nga institucionet e korruptuara dhe të kriminalizuara shqiptare. Është po ashtu edhe një propozim qytetërues për modelin e ri qeverisës, pasi të ndodhë largimi nga skena publike e figurave dhe protagonistëve që e sollën Shqipërinë buzë greminës dhe kaosit evident.

E gjashta, fakti dhe akti që organizatorët kanë parashtruar kërkesa “ultimative” dëshmon më së miri se protesta qytetare po futet definitivisht në orbitën e një konkurrence të ndershme politike me ish-subjektet e establishmentit.

Që nënkupton se; këtu ose kemi të bëjmë me një lodhje psikologjike të protestuesve, ku “lodhja nga tranzicioni” po përdoret përkohësisht si arsyetim e satisfaksion për ta shndërruar këtë revoltë në mosbindje totale qytetare, ose kemi të bëjmë me ambicie e synime të qarta politike të një kaste të re, e cila, në emër të “adresës” qytetare, po kalkulon një rindarje të re të “kulaçit” të pushtetit.

P.S. Duhet të them se të dyja këto supozime sociologjike të ngritura, ende nuk kanë ofruar argumente të fuqishme dhe të mjaftueshme.

Në rast se ato kanë vetëm zëvendësimin e kastës së vjetër me një kastë të re më të sofistikuar në keqqeverisje, atëherë pa asnjë dyshim se do ta “varrosnin” idenë, kauzën dhe narrativën e shpresës fisnike të fillimit, e cila linte përshtypjen se po kërkonte një kanal të ri shprehjeje të vullnetit të shtypur qytetar që qe shkaktuar si rrjedhojë e një frustrimi e pakënaqësie të akumuluar ekonomike, politike dhe morale gjatë 36 vjetëve të tranzicionit demokratik.

Andaj, duhet të presim edhe ca kohë për të kuptuar si qëllimet politike, ashtu edhe synimet dhe ambiciet e organizatorëve të këtij revolucioni, pa dyshim demokratik. (Autori është sociolog)

Burimi: Koha