Mos e turbulloni zemrën dhe shpirtin tuaj nga furtunat e botës

0%

Koha në të cilën jetojmë ju vë përpara shumë mundësive, por, njëkohësisht, edhe përpara sprovave, tundimeve dhe mësimeve të rreme. Bota ju fton shpesh të ecni pas asaj që duket e lehtë, e shpejtë dhe tërheqëse. Mirëpo, jo gjithçka që shkëlqen e ndriçon edhe shpirtin dhe jo çdo rrugë që duket e gjerë e çon njeriun drejt së mirës.

Prandaj, ju, të rinjtë dhe të rejat e popullit tonë, nuk duhet ta keni guximin e turpit, por guximin e së mirës. Mos e quani trimëri atë që e poshtëron dinjitetin tuaj, e lëndon tjetrin ose e largon zemrën nga Zoti. Guximi i vërtetë nuk është të bësh atë që bën turma, por të qëndrosh i drejtë edhe atëherë kur të tjerët zgjedhin rrugën e gabuar.

Është guxim ta thuash të vërtetën, ta mbrosh të dobëtin, t’i respektosh prindërit, të falësh, ta ruash pastërtinë e zemrës dhe të mos e shesësh ndërgjegjen për një kënaqësi të përkohshme. Sjellja e mirë nuk është vetëm një zbukurim i jashtëm i njeriut. Ajo depërton në mendjen dhe në shpirtin e tij, e formon ndërgjegjen dhe e ndërton karakterin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Çdo vepër e mirë, sado e vogël të duket, bëhet një gur në themelin e personalitetit. Po kështu, çdo zgjedhje e gabuar, kur përsëritet, mund ta dobësojë vullnetin dhe ta turbullojë ndërgjegjen.

Shën Pali na porosit: “Mos e merrni shembull këtë botë, por shndërrohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të mund ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij e çka është e përkryer.” (Rom 12,2) Kjo fjalë apostolike është veçanërisht e rëndësishme për rininë.

Njeriu nuk duhet të lejojë që mendjen t’ia formojnë vetëm moda, rrjetet shoqërore, interesat e çastit apo mendimet e turmës. Mendja duhet të ndriçohet nga e vërteta, ndërsa zemra duhet të edukohet në dashuri, përgjegjësi dhe mëshirë. Mos lejoni që zemrat tuaja të turbullohen nga furtunat e botës.

Furtunat mund të jenë të shumta: zhgënjimet, padrejtësitë, varfëria, vetmia, mungesa e mirëkuptimit, presioni i shoqërisë, tundimet dhe pasiguria për të ardhmen. Mirëpo, asnjë furtunë nuk është më e fuqishme se prania e Zotit në jetën e njeriut. Jezusi u thotë nxënësve të vet: “Mos t’ju shqetësohet zemra!

Besoni në Hyjin e besoni edhe në mua!” (Gjn 14,1) Kjo nuk do të thotë se besimtari nuk do të përjetojë vështirësi. Do të thotë se ai nuk mbetet i vetëm në to. Besimi nuk i largon gjithmonë dhe menjëherë furtunat, por i jep njeriut forcën që të mos fundoset. Zoti nuk premton një jetë pa kryq, por premton se kryqi i bartur së bashku me Të nuk mbetet pa kuptim dhe pa shpresë.

Njeriu i mirë, i drejtë dhe i moralshëm, edhe përballë padrejtësive dhe ndërhyrjeve të liga që mund t’i përjetojë, gjen ngushëllim në drejtësinë e Zotit. Drejtësia njerëzore mund të vonojë, mund të jetë e mangët dhe, ndonjëherë, mund të heshtë, por drejtësia e Zotit nuk e harron asnjë vepër të mirë, asnjë lot të pafajshëm dhe asnjë sakrificë të bërë me zemër të pastër.

Njeriu i drejtë nuk duhet ta ndërtojë jetën mbi dëshirën për hakmarrje. Ai ia beson çështjen e vet Zotit dhe vazhdon ta ruajë shpirtin nga urrejtja. Kjo nuk është dobësi, por pjekuri shpirtërore. Të mos lejosh që padrejtësia e tjetrit të të shndërrojë edhe ty në njeri të padrejtë është një nga fitoret më të mëdha morale.

Shën Pali shkruan: “Mos lejo të të mundë e keqja, por munde të keqen me të mirë.” (Rom 12,21) I drejti mund të vuajë, por nuk është i humbur. Mund të keqkuptohet, por nuk është i braktisur. Mund të nēnçmohet nga bota, por në shpirtin e vet e gëzon drejtësinë, mëshirën dhe paqen e Zotit.

Njeriu që jeton me ndërgjegje të pastër mbart brenda vetes një qetësi që nuk mund ta blejë asnjë pasuri e kësaj bote. Në anën tjetër, mëkati e ndan njeriun nga paqja dhe afërsia e Zotit. Ai e prish harmoninë e njeriut me vetveten, me të afërmin dhe me Krijuesin.

Mëkati premton kënaqësi, por shpesh lë pas zbrazëti; premton liri, por krijon varësi; premton qetësi, por sjell shqetësim dhe parehati. Kur njeriu e humb ndjenjën e mëkatit, fillon ta quajë të keqen të mirë dhe të mirën të vjetruar.

Pikërisht këtu qëndron një nga rreziqet më të mëdha të kohës sonë: jo vetëm kryerja e së keqes, por edhe paraqitja e saj si diçka normale, moderne dhe e pranueshme. Të dashur të rinj dhe të reja, ju lutem: mos bini në kurthet e mësuesve të rremë të botës. Jo secili që flet bukur e thotë edhe të vërtetën. Jo secili që premton liri ju çon drejt lirisë së vërtetë.

Jo çdo ide që bëhet e popullarizuar është edhe e drejtë. Prandaj, Shën Gjoni apostull këshillon: “Të dashurit e mi, mos u besoni çdo frymëzimi, por vëreni a janë frymëzimet prej Hyjit, sepse shumë profetë të rremë dolën në botë.” (1 Gjn 4,1) Duhet të dini të dalloni. Pyeteni veten: A më afron kjo rrugë me Zotin? A ma ruan dinjitetin?

A më bën më të ndershëm, më të përgjegjshëm dhe më të dashur ndaj të tjerëve? A sjell paqe në ndërgjegjen time apo më lë në zbrazëti dhe shqetësim? Fjala e Zotit, lutja, sakramentet, këshillat e prindërve dhe urtia e njerëzve të mirë janë busulla që e ndihmojnë të riun të mos humbasë në mjegullën e botës. Kisha nuk dëshiron t’jua marrë gëzimin dhe lirinë.

Përkundrazi, ajo dëshiron t’ju ndihmojë ta gjeni gëzimin që nuk shndërrohet në pendim dhe lirinë që nuk ju bën skllevër të pasioneve. Krishti thotë: “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.” (Gjn 8,32) Liria e vërtetë nuk është të bësh çfarëdo që dëshiron, por të jesh i aftë ta zgjedhësh atë që është e mirë, e drejtë dhe e denjë.

Njeriu është vërtet i lirë kur mund t’i thotë “jo” mëkatit dhe “po” jetës, dashurisë, përgjegjësisë dhe Zotit. Të dashur të rinj dhe të reja, ruajeni zemrën tuaj, sepse prej saj burojnë vendimet që e ndërtojnë ose e dëmtojnë jetën. Mos u turpëroni nga mirësia. Mos u turpëroni nga besimi. Mos u turpëroni të jeni të ndershëm në një botë që, nganjëherë, e shpërblen mashtrimin.

Mos kini guximin e turpit, por guximin e virtytit. Bëhuni të rinj që nuk e ndjekin verbërisht turmën, por ecin nën dritën e ndërgjegjes. Bëhuni vajza dhe djem që e ndërtojnë të ardhmen jo vetëm me dije, por edhe me karakter; jo vetëm me ambicie, por edhe me moral; jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra të mira.

Edhe kur furtunat e botës të përplasen mbi jetën tuaj, mos harroni se Krishti është pranë jush. Ai qëndron në barkën e jetës suaj dhe ju thotë: “Pse keni frikë, o njerëz me pak fe?” Atëherë u ngrit, u kërcënua erërave dhe detit, e u bë një qetësi e madhe. (Mt 8,26) Prandaj, mos e humbni shpresën.

Qëndroni në të mirë, kërkojeni të vërtetën, largohuni nga mëkati dhe besojini mëshirës së Zotit. Zemra që mbështetet në Zotin mund të sprovohet, por nuk thyhet; mund të turbullohet për një çast, por nuk e humb dritën; mund të rrëzohet, por, me hirin e Zotit, ngrihet përsëri.

Le të jetë rinia juaj një dëshmi se mirësia nuk është dobësi, morali nuk është prapambetje dhe besimi nuk është ikje nga jeta. Përkundrazi, mirësia, morali dhe besimi janë themelet mbi të cilat ndërtohen njeriu i plotë, familja e shëndoshë dhe e ardhmja e një populli.

Zoti ju dhëntë mendje të ndriçuar, zemër të pastër, ndërgjegje të qetë dhe guxim për ta zgjedhur të mirën në çdo rrethanë të jetës.

Burimi: Bota Sot