Përfundimi i procesit zgjedhor vazhdon të shoqërohet me ankesa dhe pretendime nga kandidatët politikë, ndërsa institucionet përgjegjëse po shqyrtojnë çdo kërkesë në përputhje me procedurat ligjore.
Një nga rastet e fundit lidhet me kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërimin e plotë të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Megjithatë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur ta refuzojë ankesën e tyre si të pabazuar.
Sipas vendimit të publikuar, trupi vendimmarrës ka vlerësuar se pretendimet e paraqitura nuk kanë ofruar prova apo argumente të mjaftueshme që do të justifikonin një proces të ri rinumërimi në nivel të përgjithshëm.
Kërkesat e Haxhiu dhe Kryeziut ishin drejtuar kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me synimin që të rishikoheshin të gjitha votat e kandidatëve për deputet nga radhët e PDK-së. Ata kishin ngritur dyshime lidhur me procesin e numërimit, duke kërkuar verifikim shtesë të rezultateve të publikuara.
Në arsyetimin e saj, PZAP thekson se çdo kërkesë për rinumërim duhet të mbështetet në fakte konkrete dhe dëshmi bindëse, të cilat mund të tregojnë parregullsi që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor. Në këtë rast, paneli ka konstatuar se ankesa nuk e ka përmbushur këtë standard ligjor.
Të gjendur në këtë situatë a po e përdor PDK-ja kërkesën për rinumërim të plotë më shumë si mjet për të vënë në pikëpyetje rezultatin zgjedhor sesa si kërkesë të bazuar në fakte, duke pasur parasysh se PZAP e refuzoi ankesën si të pabazuar, dhe a tregon kjo një mungesë besimi brenda vetë PDK-së ndaj procesit zgjedhor dhe rezultateve të kandidatëve të saj?
Burjani: Duhet të ketë parregullsi serioze që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani. Ai tha mund të ketë pakënaqësi nga individë të caktuar për të shkuar në rinumërim votat, mirëpo që duhet të ketë prova të forta që të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor.
“Po, ka pakënaqësi nga individë të caktuar, por që të shkohet në rinumërim të votave duhet të ekzistojnë arsye dhe prova të forta. Në raste të tilla, duhet të ketë parregullsi serioze që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor”, u shpreh ai.
Blerim Burjani Juristi thekson se rinumërimi ose kontestimi i rezultateve zgjedhore nuk mund të kërkohet vetëm mbi bazën e dyshimeve apo pakënaqësive, por duhet të mbështetet në prova dhe fakte konkrete, ndërsa vendimin përfundimtar e merr PZAP pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave dhe raporteve relevante.
“Për të vlerësuar nëse ka bazë për rinumërim apo kontestim të rezultatit, vendos Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke u bazuar në hetimet që zhvillon, raportet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe, kur është e nevojshme, në bashkëpunim me organet e rendit.
Prandaj, për të kërkuar rinumërim ose për të kontestuar rezultatin zgjedhor, duhet të paraqiten fakte serioze dhe dëshmi konkrete. Këto kërkesa mund të parashtrohen nga subjektet politike, por edhe nga kandidatët e tyre për deputetë”, foli Burjani për “Bota sot”.
Mehmeti: Besoj se synimi ka qenë që procesi të mbyllet sa më shpejt dhe të mos zgjatet më tej Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se PDK-ja mund të ketë preferuar të mos vazhdojë me një rinumërim të plotë, nga frika se ai do të nxirrte në pah ndryshime në renditjen e kandidatëve dhe do të thellonte pakënaqësitë e debatet e brendshme në parti.
“Nëse analizohet kërkesa e PDK-së, mendoj se arsyeja kryesore ka qenë shmangia e hapjes së mëtejshme të çështjes së kutive dhe procesit të rinumërimit. Në rast se do të bëhej një rinumërim i plotë, mund të dilnin në pah ndryshime të konsiderueshme në rezultatet e kandidatëve, gjë që do të hapte debate të reja brenda parties” , foli ai.
Faton Mehmeti Mes tjerash, analisti vlerëson se PDK-ja ka synuar ta mbyllë sa më shpejt procesin zgjedhor për të shmangur tensionet e mëtejshme, duke theksuar se mosmarrëveshjet dhe pakënaqësitë këtë herë po zhvillohen kryesisht brenda vetë partisë dhe mes kandidatëve të saj. “Për këtë arsye, besoj se synimi ka qenë që procesi të mbyllet sa më shpejt dhe të mos zgjatet më tej.
Nuk mendoj se ka pasur ndonjë arsye tjetër thelbësore. Brenda PDK-së ka pasur gjithmonë gara dhe pakënaqësi të brendshme pas zgjedhjeve, por këtë herë duket se përplasjet nuk po vijnë nga partitë kundërshtare, por nga vetë kandidatët dhe strukturat e partisë.
Kjo tregon se konkurrenca e brendshme ka qenë e fortë dhe se debatet rreth rezultatit po zhvillohen kryesisht brenda vetë subjektit politik”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.
