Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Komunën e Tetovës dhe Qeverinë se me mosveprim institucional kanë kontribuar drejtpërdrejt në shfuqizimin e vendimit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në Tetovë nga Gjykata Kushtetuese.
Partia opozitare e bazon qëndrimin e saj në arsyetimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, ku thuhet se gjatë procedurës gjyqësore janë dërguar katër kërkesa zyrtare ndaj Komunës së Tetovës dhe tri kërkesa ndaj Qeverisë për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm që do të mundësonte shqyrtimin e plotë të lëndës.
Sipas BDI-së, as Komuna dhe as Qeveria nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, duke lënë pa mbrojtje vendimin që për gati dy dekada ka qenë pjesë e identitetit urban të Tetovës.
“Në shtatë raste të ndara, institucionet e udhëhequra nga VLEN dhe OBRM-PDUKM nuk ndërmorën as hapin më elementar për mbrojtjen e emrave shqiptarë të rrugëve dhe shesheve të Tetovës”, thuhet në reagimin e partisë. BDI e cilëson situatën si një “skandal institucional” dhe ngrit dyshime për mënyrën se si është trajtuar çështja nga autoritetet kompetente.
Partia kërkon sqarime publike se kush ka vendosur që Komuna e Tetovës të mos e mbrojë vendimin dhe pse Qeveria nuk ka reaguar edhe pas tri kërkesave të Gjykatës Kushtetuese. “Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse bëhet fjalë për paaftësi, neglizhencë apo për një vendim të vetëdijshëm politik”, thekson BDI.
Sipas partisë, pasojat e këtij mosveprimi po i bartin qytetarët e Tetovës, ndërsa përgjegjësia politike për zhvillimet e fundit nuk mund të shmanget. BDI kërkon përgjegjësi të plotë politike nga Komuna e Tetovës dhe Qeveria për, siç e quan, mosmbrojtjen e vendimit që lidhet me emërtimet shqiptare të rrugëve dhe shesheve në qytet.
