“Tarraca e kafenesë natën”: Pesë detaje që zbulojnë gjenialitetin e “natës me yje” të Van Goghut

0%

Me pikturën e tij të parë të një “nate me yje” në Arl, në vitin 1888, Vincent van Gogh e shndërroi një shesh të zakonshëm qyteti në diçka të jashtëzakonshme – ja se si e bëri këtë dhe çfarë kuptimi ka.

Nga: Kelly Grovier / BBC Përkthimi: Telegrafi.com Përpara se të ekzistonte Nata me yje , saktësisht nëntë muaj më herët, ishte Tarraca e kafenesë natën [ The Cafe Terrace on the Place du Forum ].

E pikturuar në shtator të vitit 1888, kjo paraqitje e shkëlqyeshme e një kafeneje të ndriçuar me fenerë në qytetin provansal të Arlit (ku Van Goghu ishte shpërngulur gjashtë muaj më parë) kurorëzohet në mënyrë magjepsëse nga një pykë e thellë e qiellit të kaltër, gjallëruar nga pulsimi i yjësive.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nata e parë me yje që Van Gogh pikturoi ndonjëherë do të rezultonte vendimtare për artistin, dhe jo thjesht sepse prezantoi një magjepsje të re me koordinatat vezulluese të kozmosit sipër.

Me Tarraca e kafenesë natën (që tani ekspozohet në Tokio si vepra kulmore e ekspozitës The Grand Van Gogh Exhibition ), mund të shihet Van Goghu duke rishpikur si vetveten, ashtu edhe rolin e artistit si dëshmitar i universit – i asaj që ka kaluar, që po kalon ose që do të vijë.

Kur në mesin e të tridhjetave të tij u shpërngul në Arl nga Parisi në fillim të vitit 1888, Van Goghu ishte kishte qenë një kërkues i pareshtur, duke provuar role të ndryshme si tregtar arti, mësues, predikues dhe artist autodidakt.

Lexo po ashtu: – Përmbysja e miteve: Van Goghu nuk vdiq si një gjeni i lënë pas dore – Simbolika e fshehtë e lulediellit të Van Goghut – “Dhoma e gjumit” e Van Goghut – Van Goghu dhe Japonia: Printimet që ndikuan në artin e gjeniut fatkeq – Sekreti i fundit i Van Goghut – Historia e engjëllit mbrojtës të Van Goghut – Rasti i veshit të van Goghut: Mos ishte faji i Paul Gauguinit? – Piktori i famshëm dhe tri fazat e dashurisë Megjithëse paleta e tij, gjithnjë e më shumë e ndikuar nga impresionizmi, ishte ndriçuar ndjeshëm krahasuar me ngjyrat e errëta të pikturave të tij të hershme holandeze, shëndeti i tij mendor dhe fizik ishte përkeqësuar ndjeshëm.

I dëshpëruar, Van Goghu e drejtoi vështrimin drejt dritës joshëse të Arlit në Jug të Francës. Ai e shihte Provansën si një rajon të ripërtëritjes krijuese dhe shpirtërore, ku gjithçka që kishte ardhur më parë mund të fshihej dhe vetja të rilindej.

“Tarraca e kafenesë natën” e pikturuar në Arl në vitin 1888, ishte “nata me yje” e parë e Van Goghut (Foto: Koleksioni i Muzeut Kröller-Müller, Oterlo, Holandë) Duke i shkruar vëllait të tij Theo nga Arli, në javët para krijimit të Tarracës së kafenesë natën , Van Goghu nisi të distancohej nga ajo që kishte pikturuar më parë, duke këmbëngulur se nuk dëshironte më të “paraqiste saktësisht atë që kam përpara syve.” Në vend të kësaj, ai iu përkushtua krijimit të “një ndjenje të së pafundmes.” I vendosur të krijonte një mënyrë të re të të parit, Van Goghu vendosi kavaletin e tij në një natë të kthjellët dhe të ngrohtë shtatori, mes madhështisë së qetë të Sheshin të Forumit [Place du Forum] në Arl.

Vendndodhja, një hapësirë e formuar nga mijëra vjet transformimesh kulturore – nga antikiteti deri në ditët e sotme – do të rezultonte vendimtare për jehonën dhe fuqinë e qëndrueshme të pikturës. Papritur, objektet tokësore filluan të dridheshin nga një shkëlqim i mbinatyrshëm.

Pafundësia e qiellit me yje sipër dhe përkohshmëria e botës kalimtare poshtë u shkrinë në një pëlhurë të vetme, shkëlqyese.

Ajo që vijon janë pesë detajet kyçe te Tarraca e kafenesë natën të cilat, pasi zbërthehen, tregojnë se si Van Goghu e shndërroi një shesh të zakonshëm qyteti në diçka më të çuditshme: një diku tjetër të idealizuar – një vend ku e kaluara dhe e tashmja bashkohen në mënyrë të paqartë në një vegim ëndërrimtar, që nuk është as këtu-dhe-tani, as atje-dhe-atëherë, por njëkohësisht të dyja. 1.

Kalldrëmet Pjesa e përparme e kanavacës së Van Goghut, që zë një të katërtën e plotë të pikturës, është një det valëzues kalldrëmesh shumëngjyrëshe që duket, në mënyrë paradoksale, sikur e shtyn larg shikuesit fokusin kryesor të figurës: kafenë.

Një letër që Van Goghu i shkroi motrës së tij pak pas përfundimit të pikturës, sugjeron se shkëlqimi prizmatik i këtij mozaiku të çrregullt drite dhe guri është në të vërtetë subjekti kryesor i kësaj pjese të veprës: Një fener i madh i verdhë ndriçon tarracën, fasadën, trotuarin dhe madje hedh dritë mbi kalldrëmet e rrugës, të cilat marrin një nuancë vjollcë-rozë …

Tani kemi një pikturë nate pa të zezën. Vetëm me të kaltrën, vjollcën dhe të gjelbrën, të bukura, dhe në këtë mjedis sheshi i ndriçuar ngjyroset me të verdhë të zbehtë squfuri dhe të gjelbër limoni. Por, nën këtë sipërfaqe rrezatuese fshihet një arkitekturë tjetër, e padukshme – e fshehur për ne, por e njohur për Van Goghun.

Nën shtrirjen e kalldrëmeve gjendet një rrjet i gjerë galerish të harkuara, të njohura si “kriptoportikë.” Sot, një skelet i varrosur i Arlit romak, ky kompleks i madh nëntokësor jo vetëm që mbështeste forumin antik që dikur zinte këtë vend, por edhe vetë tokën mbi të cilën qëndronte Van Goghu.

Më shumë sesa një dëshmi verbuese e mjeshtërisë së tij me paletën e ngjyrave, kalldrëmet janë, në njëfarë mënyre, rrënojat e së kaluarës (si personale ashtu edhe historike) të shkelura nën këmbë – lëkura e copëtuar e një vendi që vazhdon të përndjekë nga poshtë pragut të shikimit. 2.

Kolonat Në qendër të pikturës, të dukshme nën degët e gjelbra elektrike të pemës së madhe në anën e djathtë të kanavacës, ndodhet një dyqan i ndriçuar mirë dhe i paraqitur me hollësi, prej të cilit një çift i veshur me elegancë duket se po ecën drejt kafenesë që ndodhet përballë. Por, në të vërtetë, gjërat nuk ishin tamam kështu.

Van Goghu i ka zëvendësuar me kujdes këto dritare dhe ka tërhequr perdet me një palë kolonash korintikë imponues të shekullit të parë, të pajisura me kapitele dhe korniza të punuara me hollësi, si edhe me një fragment të spikatur frontoni, të shpëtuar nga rrënojat e një tempulli romak që ngjitej me forumin antik dhe të integruar në fasadën e asaj që quhej Hotel i Veriut [Hôtel du Nord].

Të dukshme qartë nga këndvështrimi i tij, këto spolia – siç njihen këto relikte të antikitetit të rivendosura në mënyrë piktoreske – ka të ngjarë të kishin tërhequr vëmendjen e furçës së pothuajse çdo artisti tjetër. Por, ato nuk kanë vend në një pikturë që refuzon të rëndohet nga e kaluara. Në veprën e Van Goghut mund të kthesh kokën pas, por është më mirë të mos ngulësh sytë. 3.

Karriget Objektet imponuese të së kaluarës – të varrosura nën sipërfaqe ose të fshira krejtësisht – nuk janë mungesat e vetme që trazojnë këtë vepër të Van Goghut, në dukje të drejtpërdrejtë. Megjithëse piktura duket se paraqet një skenë të gjallë shoqërore, sytë tanë duhet të kapërcejnë radhë tavolinash bosh përpara se të ndeshin ndonjë klient të vërtetë të kafenesë.

Çfarë duhet të kuptojmë nga të gjitha këto ulëse të pambushura në planin e parë të pikturës, të cilat duken të vendosura thuajse një spektakël – që do të zhvillohej në sheshin mes tyre dhe vendit ku qëndrojmë ne – të ishte gati të fillonte?

Sipas dëshmive bashkëkohore, përfshirë një botim të publikuar një dekadë para se Van Goghu të vendosej në Arl, Sheshi i Forumit (atëherë i njohur si Place du Cestier) ishte skena e një ceremonie makabre më : prerja e kokës së një fisniku rebel, Gober de Lerne, përpara një publiku ku përfshihej edhe mbretëresha Maria de Blua, nëna e mbretit Luixhi II të Napolit dhe e princit të Tarantos.

Skela e ekzekutimit, ashtu si vetë forumi, mund të jetë zhdukur – historia e saj e fshirë dhe e mbishkruar nga koha – por, kujtesa instinktive e vështrimit kureshtar ndaj spektaklit është e vështirë të shuhet. 4.

Kulla Vijat ngulmuese të perspektivës në kanavacë, të theksuara nga rreshtimi i zgjuar i kanaleve të gurit dhe tavolinave që duken sikur pluskojnë, e tërheqin shikimin drejt pjesës së pasme të pikturës. Më pas, ai ngrihet lart nga silueta e një kulle të errët që ngrihet në largësi.

Në kohën kur Van Goghu vizitoi Arlin, kjo kullë sugjestive, e profilizuar kundrejt qiellit të kaltër kobalt, ishte bërë vetë një simbol i rikrijimit ekzistencial.

Fillimisht ajo kishte shërbyer si kambanore e kishës së Shën Anës [Sainte-Anne], përpara se të shndërrohej, rreth një duzinë vitesh para se Van Goghi të vendosej në Arl, në një depo relikesh antike si pjesë e Muzeut të Lapidarit [Musée Lapidaire] të qytetit.

Vetë Van Goghu dëshmon se e vizitoi muzeun pothuajse menjëherë pas mbërritjes në qytet dhe se e admiroi koleksionin e tij mbresëlënës të mbishkrimeve romake, fragmenteve arkitekturore dhe sarkofagëve të krishterimit të hershëm, të nxjerrë nga nekropoli i afërt i Aliskampit.

Pikërisht këtij vendi artisti do t’i kushtonte së shpejti furçën e tij në një seri prej katër pikturash, pasi përfundoi Tarracën e kafenesë natën . Si një depozitë e së kaluarës që po zhduket, kulla e Lapidarit kryen një funksion të rëndësishëm vizual: ajo lidh ngjarjet kalimtare të kësaj bote me pafundësinë që shtrihet sipër. 5.

Yjet Duke pasur parasysh gatishmërinë e Van Goghut për të manipuluar konturat e botës ashtu siç i ndeshte ato, mund të duket befasuese që ai të ishte kaq i përpiktë në vendosjen e yjeve në atë pjesë kyçe të qiellit drejt së cilës sytë tanë tërhiqen në fund.

Por, studiuesit kanë treguar se renditja e yjeve në pikturë përputhet me saktësi me pozicionin e yjësisë së Ujorit në mesin e shtatorit 1888, pikërisht në kohën kur ai qëndronte në Sheshin e Forumit dhe vështronte mbi Rrugën e Pallatit [Rue du Palais].

Kudo tjetër në pikturën e Van Goghut, bota – ashtu si vetë ai – është vazhdimisht në ndryshim, duke u shndërruar pafundësisht në diçka tjetër. Vetëm yjet vezullues – elementi në dukje më pak i prekshëm dhe më pak i fiksueshëm në pikturë – i shpëtojnë rishikimit dhe i përkasin një sfere përtej korrigjimit.

Ata, dhe vetëm ata, janë të pastër dhe përfaqësojnë kulmin e paarritshëm të aspiratës krijuese. Duke i shkruar vëllait të tij dy javë pasi përfundoi Tarraca e kafenesë natën , Van Goghu shpjegon ilaçin e ri që kishte gjetur për ndjenjën e shkëputjes nga universi – përherë në ndryshim – që e rrethonte atë: Dal jashtë natën për të pikturuar yjet .

Burimi: Telegrafi