Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale duke deklaruar se skenari i protestave tashmë është zbardhur plotësisht. Sipas tij, kërkesat e protestuesve u lexuan nga Dritan Goxhaj, të cilin ai e cilësoi si një “zëdhënës” të regjimit terrorist të Iranit që sulmon SHBA-në, Izraelin dhe Shqipërinë.
Balla e quajti të paimagjinueshme që një ish-pjesëtar i UÇK-së të bëjë avokatin e Iranit kundër aleatit strategjik, duke mbyllur reagimin me mesazhin se “patriotët” dhe ditëzinjtë tashmë kanë marrë vulën e turpit. “Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti “zëdhënësi” i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri.
Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë. E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë.
Tani “patriotët” edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash avash, të gjitha po dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme ”, ka shkruar Balla.
